Ekip
16 nëntor 2021•Përditësim: 17 nëntor 2021
Qindra gazetarë sudanezë kanë kritikuar shkeljet kundër lirisë së shprehjes dhe mediave që nga grusht shteti ushtarak në fund të muajin të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazetarët u mblodhën në një tubim në Khartoum dhe i dorëzuan një letër ankese të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Sudan për të kërkuar dhënien e lirive dhe ndalimin e shkeljeve kundër protestave.
Majid Mohamed Ali, një nga organizatorët e tubimit, tha se gazetarët kanë qenë dëshmitarë të shkeljeve në rritje për të cilat ai theksoi se provojnë mentalitetin e udhëheqësve të grusht shtetit.
“Ka shkelje të shumta që nga grusht shteti. Dy gazetarë janë plagosur gjatë mbulimit, njëri prej tyre me plumba gome. Mbi pesë janë arrestuar dhe disa të tjerë janë thirrur nga sigurimi ose u është mohuar qasja në disa zona ose pika të nxehta”, tha Ali para të pranishmëve në tubim.
Në Sudan janë raportuar shkelje të gjera të të drejtave të njeriut që kur ushtria mori kontrollin e vendit më 25 tetor, me më shumë se 20 protestues të vrarë dhe mbi 100 të plagosur.