Atila Altuntaş
12 Maj 2016•Përditësim: 13 Maj 2016
STOKHOLM (AA) – Si pasojë e rrjedhjes së materieve kimike në një central energjetik me biogaz në Suedi, 11 persona u dërguan në Spital, ndërkohë që qindra të tjerë u evakuuan nga zona, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra, rrjedhja e materieve kimike ka ndodhur në centralin energjetik me biogaz i cili gjendet pranë Institutit Karolinska në qytezën Solna të kryeqytetit Stokholm.
Për shkak të incidentit, forcat e sigurisë kanë evakuuar nga zona afërsisht 500 persona, ndërkohë që 11 persona të cilët janë prekur nga rrjedhja u dërguan në spital për trajtim. Kreu i zjarrfikësve, Jonas Frojmark, duke e vërtetuar rrjedhjen e materieve kimike, tha se ndërtesa është zbrazur si pasojë e shpërthimit.
Ai më tej njoftoi se 11 persona të cilët u ankuan për kokëdhembje për shkak të gazit u dërguan në spital, duke shtuar se zona është rrethuar me shirit sigurie dhe se hetimet janë duke vazhduar.