Halit Süleyman,Mohamad Misto,Adham Kako
03 Maj 2017•Përditësim: 04 Maj 2017
AZEZ (AA) - Një sulm me autobombë ka ndodhur në afërsi të ndërtesës së Qeverisë Kalimtare në Siri në qytetin Azez, në veri të Halepit në Siri, ku kanë humbur jetën katër persona, kurse katër civilë janë plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).
Gazetari i AA-së në Azez ka bërë të ditur se autobomba ka shpërthyer duke qenë e parkuar pranë xhamisë Mejtem në qendër të qytetit, në afërsi të së cilës ndodhet edhe një ndërtesë e Qeverisë Kalimtare të Sirisë.
Hasan Ubejd, mjek me detyrë në një spital të improvizuar në qytet, për gazetarin e AA-së ka njoftuar se si rezultat i sulmit jetën kanë humbur katër persona pjesëtarë të Policisë së Lirë Siriane dhe se katër civilë janë plagosur dhe po vazhdojnë trajtimin në spitalin e improvizuar.
Ndërkaq, Xhevad Ebu Hatab, kryeministër i Qeverisë Kalimtare të Sirisë, duke folur për gazetarin e AA-së, ka thënë se gjatë ngjarjes ka qenë në Siri.
"Kishim mbledhje në Azez, por për shkaqe sigurie, e mbajtëm në një vend tjetër. Në ndërtesën tonë ndodheshin vetëm nëpunës. Ndërtesa nuk është dëmtuar. Ende nuk kemi informacione të mjaftueshme mbi atë se kush është autor i sulmit", ka thënë Ebu Hatab.
"Sipas nesh, organizatorët e këtij sulmi kanë pasur për shënjestër popullin sirian", është shprehur Ebu Hatab, duke shtuar se ndërtesa e njëjtë para dy muajve ka qenë shënjestër e një sulmi me breshëri të shtënash me armë të rënda në kohëzgjatje prej afër një ore teksa aty po mbanin mbledhje.
"Zyra jonë në Dera më parë ishte shënjestruar nga DEASH-i. Si pasojë e sulmit kishin humbur jetën dhjetë punonjës qeveritarë, përfshirë një ministër. Po ashtu, edhe zyra jonë në Idlib ka qenë shënjestër e sulmeve ajrore ruse", ka shtuar Ebu Hatab.
Ndryshe, pas shpërthimit, muret e jashtme të oborrit të xhamisë Mejtem kanë pësuar dëme të mëdha, kurse disa automjete në afërsi kanë marrë flakë.