Ömer Aydın
13 Maj 2018•Përditësim: 14 Maj 2018
PARIS (AA) - Si pasojë e një sulmi me thikë në kryeqytetin e Francës, Paris, ka humbur jetën një person dhe janë plagosur 4 të tjerë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një deklarate nga policia e Parisit mësohet se një person ka sulmuar me thikë kalimtarët në një zonë pranë sheshit të Operas në kryeqytet. Nga të plagosurit, dy prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Collomb, ka përgëzuar forcat e sigurisë që kanë ndërhyrë menjëherë.
Po ashtu kanali France Info ka njoftuar se sulmuesi është neutralizuar pasi është qëlluar nga policia.
- Sulmuesi me origjinë çeçene dhe pa dosje kriminale
Autoritetet e Francës bëjnë të ditur se personi i cili mbrëmë sulmoi me thikë pesë persona në qendër të Parisit është me origjinë çeçene, dhe se nuk ka një dosje kriminale.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Francës, Frederic de Lanouvelle, tha se sulmuesi ka lindur në Çeçeni në vitin 1997, dhe se asnjëherë më parë nuk ka qenë i arrestuar ose dënuar për ndonjë vepër kriminale. Ai sqaroi se sulmuesi nuk ka njohur viktimat.
Akoma nuk është e njohur, nëse sulmuesi ka pasur në të kaluarën lidhje me lëvizjet radikale.
Gjatë sulmit të së shtunës në Paris, personi në fjalë nuk ka mbajtur me vete dokumente identifikimi, por zbardhja e identitetit është bërë në bazë të ADN-së.
Policia tha se aktualisht po merren deklarata të prindërve të sulmuesit.