Seyit Aydoğan
02 Qershor 2016•Përditësim: 02 Qershor 2016
LONDON, Kanada (AA) – Një i ri musliman në qytetin London të Kanadasë u sulmua nga dy persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas deklaratës së Këshillit Kombëtar të Muslimanëve në Kanada (NCCM) dhe asaj të policisë lokale, Muhammed Sherifi, student në drejtimin e Letërsisë Angleze në Universitetin Western, u sulmua nga dy meshkuj të moshës rreth 20-vejçare ndërsa ishte ulur me shoqen e tij në kopshtin e një marketi në qendrën e qytetit të Londonit. Pasi u godit në fytyrë dhe u rrëzua për toke, Muhammed Sherifi për një kohë u sulmua edhe me shqelma. Nga sulmuesit u dëgjua edhe fyerje dhe fjalë si “Shkoni në shtetin tuaj! Shporruni!”
Sulmuesit u sollën ashpër edhe ndaj shoqes së Muhammedit. Ata gjithashtu e kërcënuan edhe një person të rastit i cili deshi të ndërhyjë, ndërkohë që e sulmuan dhe ia thyen telefonin personit që po përpiqej ta thërriste policinë. Policia e cila erdhi në vendngjarje pas denoncimit nga një dëshmitar i rastit, i arrestoi sulmuesit e Muhammed Sherifit.
Në deklaratën pas incidentit, drejtori i përgjithshëm i Këshillit Kombëtar të Muslimanëve në Kanada (NCCM), Ihsaan Gardee, tha se “Pa marrë parasysh vendin nga vijnë apo rrënjët, i tërë populli i Kanadasë duhet të jetë i bashkuar kundër këtyre krimeve të bazuara në urrejtje. E dënojmë këtë sulm. Shpresojmë që përgjegjësit ta marrin dënimin e merituar.”