Lokman İlhan
18 Janar 2019•Përditësim: 18 Janar 2019
BOGOTA (AA) - Nëntë persona kanë humbur jetën dhe 54 të tjerë janë plagosur nga një sulm terrorist në një shkollë policore në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota, raporton Anadolu Agency (AA).
Sulmi ka ndodhur pasi një autobombë ka shpërthyer para Shkollës Policore General Santander në kryeqytetin kolumbian.
Presidenti i vendit, Ivan Duque, së bashku me zëvendëspresidenten Marta Lucia Ramirez dhe një delegacion shoqërues vizituan shkollën në jug të Bogotas pas sulmit.
Pas një takimi me komandandët e forcave të sigurisë, Duque në një konferencë për mediat konfirmoi se nëntë persona, prej të cilëve një shtetas i Ekuadorit, kanë humbur jetën si pasojë e sulmit, kurse 54 të tjerë janë plagosur.
Duque tha se autorët e sulmit nuk do të shpëtojnë pa marrë dënimin e merituar.
"Ky sulm u ndërmor ndaj një qendre arsimore ku gjendeshin të rinj dhe nxënës të paarmatosur", tha presidenti kolumbian, duke shtuar se akti terrorist në fjalë paraqet sulm ndaj të gjithë qytetarëve të Kolumbisë.
Në një postim më herët në median sociale, Duque e quajti sulmin si akt terrorist.
Ndërkohë, kryeprokurori i vendit, Nestor Humberto Martinez, njoftoi se në kuadër të hetimit është zbuluar se për shpërthimin e realizuar nga shtetasi kolumbian Jose Aldemar Rojas Rodriguez janë përdorur 80 kilogramë eksplozivë.
Ai theksoi se automjeti i përdorur në kryerjen e sulmit ka regjistrat e inspektimit të fundit nga viti i kaluar në qytetin Arauca në kufirin me Venezuelën.
Policia dhe prokuroria janë duke i vazhduar hetimet në vendin e sulmit, i cili ka shkaktuar dëme në diametër të madh.
Ndryshe, Bogota edhe më herët ka qenë skenë e sulmeve të ngjashme. Më 17 qershor të vitit 2017, tre persona humbën jetën dhe nëntë u plagosën pas detonimit të një bombe të vendosur në banjon e një qendre tregtare.
Ndërkaq, në shkurt të vitit të njëjtë, sulm me bombë ishte realizuar edhe në lagjen La Macarena gjatë një evenimenti të luftës me dema, nga i cili 23 policë u plagosën dhe një humbi jetën.