Lokman İlhan
18 Janar 2019•Përditësim: 18 Janar 2019
BOGOTA (AA) - Rritet në 21 numri i të vdekurve si pasojë e sulmit terrorist ndaj shkollës policore General Santander në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota, raporton Anadolu Agency (AA).
Policia njoftoi të dhënat e fundit mbi sulmin ndaj shkollës së policisë në pjesën jugore të kryeqytetit Bogota, ku si pasojë në vend janë shpallur tre ditë zie.
Policia tha se në sulmin terrorist, duke përfshirë edhe agresorin, kanë humbur jetën 21 persona dhe 68 të tjerë janë plagosur, 58 prej të cilëve kanë dalë nga spitali pas trajtimit.
Në informacionet e fundit të ndarë nga Sekretariati i Shëndetësisë së Bashkisë Bogota në lidhje me sulmin me autobombë me objektiv shkollën e policisë General Santander thuhej se 11 persona kishin humbur jetën dhe 87 të tjerë ishin plagosur.
Presidenti i vendit, Ivan Duque, së bashku me zëvendëspresidenten Marta Lucia Ramirez dhe një delegacion shoqërues dje vizituan shkollën në jug të Bogotas pas sulmit.
Pas një takimi me komandandët e forcave të sigurisë, Duque tha se autorët e sulmit nuk do të shpëtojnë pa marrë dënimin e merituar.
Kryeprokurori i vendit, Nestor Humberto Martinez, po ashtu njoftoi se në kuadër të hetimit është zbuluar se për shpërthimin e realizuar nga shtetasi kolumbian Jose Aldemar Rojas Rodriguez janë përdorur 80 kilogramë eksplozivë.
Ndryshe, Bogota edhe më herët ka qenë skenë e sulmeve të ngjashme. Më 17 qershor të vitit 2017, tre persona humbën jetën dhe nëntë u plagosën pas detonimit të një bombe të vendosur në banjon e një qendre tregtare.
Ndërkaq, në shkurt të vitit të njëjtë, sulm me bombë ishte realizuar edhe në lagjen La Macarena gjatë një evenimenti të luftës me dema, nga i cili 23 policë u plagosën dhe një humbi jetën.