Mohamad Misto,Halit Süleyman,Selen Temizer
07 Shkurt 2017•Përditësim: 07 Shkurt 2017
IDLIB (AA) - Mësohet se 21 civilë kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë janë plagosur si rezultat i dhjetë sulmeve ajrore në Idlib, qytetin veriperëndimor të Sirisë i cili gjendet nën kontrollin e opozitarëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Omer Ulvan, zyrtar i mbrojtjes civile në Idlib, në një deklaratë për AA tha se "Aeroplanë të cilët supozojmë se i përkasin Rusisë ndërmorën dhjetë sulme ajrore në lagjen Kusur të Idlibit."
Ulvan theksoi se 21 civilë kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve, duke shtuar se ekipet e mbrojtjes civile dhe ato shëndetësore kanë nxjerrë të plagosurit nga zona ku kanë ndodhur sulmet.
Duke treguar se sulmet kanë lënë të dëmtuara dhe rrënuara shumë ndërtesa, Ulvan vuri në pah se të plagosurit janë transferuar në spitalet e qytetit, ku, sipas tij, gjendja e disa prej të plagosurve është e rëndë.
Teksa aeroplanët e regjimit të Sirisë ndërmarrin sulme me një apo disa aeroplanë, shumica e aeroplanëve rusë mund të organizojnë sulme duke fluturuar në të njëjtën kohë.
Ndryshe, armëpushimin mes palëve ndërluftuese në Siri, që u arrit nën garantimin e Turqisë dhe Rusisë, hyri në fuqi më 30 dhjetor.
Në takimet për Sirinë që u mbajtën më 23-24 janar në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, Turqia, Rusia dhe Irani ranë dakord për krijimin e një mekanizmi trepalësh monitorues për parandalimin e shkeljeve të armëpushimit, ndërkohë që palët ditën e djeshme realizuan mbledhje teknike në lidhje me strukturimin e mekanizmit.