Diyar Güldoğan
07 Shkurt 2017•Përditësim: 07 Shkurt 2017
ANKARA (AA) - Takimi teknik i ekspertëve në Astana të dielën ka përfunduar me një zotim të tyre për të punuar edhe më tutje në drejtim të zbatimit të plotë të armëpushimit në Siri, deklaroi të hënën kreu i delegacionit rus, Stanislav Gadzhimagomedov, raporton Anadolu Agency (AA).
Komentet e tij u bënë të hënën, një ditë pas takimit teknik në të cilin morën pjesë ekspertë nga Rusia, Turqia dhe Irani, përfshirë ata të Kombeve të Bashkuara dhe Jordanisë, të cilët një muaj më parë u dakorduan që të formojnë një ekip monitorues të armëpushimit.
“Delegacionet konfirmuan gatishmërinë të vazhdojnë bashkëpunimin për të siguruar zbatimin e plotë të armëpushimit në Siri”, tha Gadzhimagomedov. Ai tha gjithashtu se pjesëmarrësit në takim kanë diskutuar për masat me të cilat do të monitorohet dhe kontrollohet armëpushimi në Siri, përfshirë edhe parandalimin e provokimeve.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, në një konferencë shtypi tha se takimi teknik në Astana ishte "përgatitor".
Në takimin të mbajtur në Astana muajin e kaluar, Turqia, Rusia dhe Irani kanë marrë vendimin për krijimin e një mekanizmi të përbashkët që synon mbikëqyrjen e armëpushimit në Siri.
Bisedimet pritet të vazhdojnë në Gjenevë më 20 shkurt, mirëpo të dielën shefi i ekipit negociator të opozitës së armatosur siriane, Muhammed Allush deklaroi se nuk do të marrin pjesë në bisedimet të cilat do të mbahen më 20 shkurt në Gjenevë nëse nuk realizohen kërkesat e tyre të cilat i kishin shtruar në takimin në Astana.
Allush tha se në bisedimet në Astana të mbajtura më 23 dhe 24 janar është dhënë fjala se forcat besnike ndaj regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Asad nuk do të sulmojnë pozicionet e opozitës siriane, për të shtuar se premtimi i dhënë nuk është respektuar.