Halit Süleyman
04 Prill 2017•Përditësim: 05 Prill 2017
IDLIB (AA) - Të paktën 21 civilë kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore të ndërmarra në rajonet Salkin dhe Xhisr esh Shugur të qytetit Idlib, në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Taha el Omer, një nga zyrtarët e mbrojtjes civile në Salkin, për AA tha se "Një avion luftarak që mendojmë të ketë qenë avion rus ka bombarduar Xhaminë Ravda dhe çarshinë në Salkin".
Si pasojë e sulmit të ndërmarrë ndaj xhamisë dhe çarshisë, Omer theksoi se kanë humbur jetën 16 civilë, në mesin e të cilëve ka pasur edhe gra dhe fëmijë, ndërsa 35 të tjerë janë plagosur.
"Sulmi ajror u ndërmor drejtpërdrejt ndaj xhamisë dhe çarshisë. Në zonën e sulmit janë shkaktuar dëme të mëdha. Të plagosurit janë transferuar në spitalet në qytet me ndihmën e personave përreth dhe ekipeve shëndetësore", njoftoi Omer.
Ndërkaq, Omer njoftoi për një sulm edhe në rajonin Xhisr esh Shugur të Idlibit, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën pesë civilë, kurse shumë të tjerë janë plagosur.
Ndryshe, sot në orët e mëngjesit rajoni Han Shejhun i Idlibit u godit me armë kimike me përmbajtje të gazit klorin, ku si pasojë numri i të vdekurve kaloi mbi 100, kurse 500 të tjerë u ndikuan nga gazi, prej të cilëve 100 më rëndë.
Ndërkohë, janë ngritur shqetësime nga mundësia e rritjes së numrit të viktimave.