Davit Kachkachishvili
29 Nëntor 2022•Përditësim: 30 Nëntor 2022
Përderisa lufta Rusi-Ukrainë vazhdon, një seri sulmesh me raketa nga ana e forcave ruse në orët e mbrëmjes në qytetin ukrainas Dnipro ka dëmtuar infrastrukturën civile, raporton Anadolu Agency (AA).
Si pasojë e katër sulmeve me raketa në qytetin ukrainas Dnipro, me mbi një milion banorë, në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, disa ndërtesa u shkatërruan në zonën industriale të qytetit, si dhe u dogjën edhe maunët e parkuar aty.
Zëvendësshefi Rajonal i Shërbimit Emergjent të Ukrainës për Dnipron, Oleg Kushneryuk, duke theksuar se forcat ruse kanë kryer katër sulme raketore kundër infrastrukturës civile në Dnipro, tha se në qytet kanë ndodhur dëme të rënda.
Ai shtoi se nuk kishte viktima ose të plagosur në sulme.
Njerëzit shërojnë plagët e tyre pas sulmit të 26 nëntorit në Dnipro
Pas sulmit të forcave ruse në një lagje të Dnipros më 26 nëntor, ku mbetën të plagosur 13 persona, banorët po përpiqen të shërojnë plagët e tyre.
Përderisa zyrtarët komunalë dhe ekspertët marrin shënime lidhur me dëmtimet nëpër shtëpi, vazhdojnë edhe pastrimet e rrënojave.
24-vjeçari Oleksiy Ilin, nëna e të cilit u plagos si pasojë e sulmit, për AA rrëfeu mbi atë që ndodhi atë ditë.
Ai tha se raketa ka rënë pranë shtëpisë së tyre.
"Nëna ime ishte në katin e dytë. Me intesitetin e shpërthimit ra poshtë. Tani është në spital. Vazhdon trajtimi i saj. Gjendja e saj është stabile", u shpreh ai.
Ndërkaq, 44-vjeçari Mikhail Barabash, është plagosur sikurse shumë fqinj të tij.
"Atë ditë isha në kuzhinë. Në atë moment ndodhi një shpërthim i madh. Intensiteti i shpërthimit më hodhi deri në katër metra. Pata humbje momentale të dëgjimit. E kam humbur veten", tha ai, duke shtuar se është plagosur në kokë, duar dhe këmbë.