Sayed Khodaiberdi Sadat
17 Qershor 2021•Përditësim: 17 Qershor 2021
Kryetar i Këshillit Suprem të Pajtimit Kombëtar në Afganistan, Abdullah Abdullah tha se talebanët nuk do të fitojnë kurrë përmes luftës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një ceremoni në kryeqytetin Kabul, Abdullah tërhoqi vëmendjen për rritjen e fundit të dhunës në të gjithë vendin.
Sipas tij, militantët talebanë dëshirojnë të fitojnë luftën duke rritur dhunën. "Talebanët nuk do të fitojnë kurrë përmes luftës", tha ai.
Abdullah tha se talebanët injoruan një mundësi të madhe për të vendosur paqen dhe rëndësinë e unitetit kombëtar për të dalë nga situata aktuale.
Kreu i Këshillit Suprem shtoi se forcat afgane të sigurisë po luftojnë shumë mirë për të mbrojtur territorin e vendit dhe se të gjithë duhet t'i mbështesin ata.
"Tërheqja e forcave të huaja nga Afganistani është një situatë e jashtëzakonshme. Talebanët e përdorën këtë situatë për të rritur dhunën", tha ai.
Duke kujtuar se viktimat kryesore të dhunës së përjetuar janë popullata civile, Abdullah tha: "Para se forcat e huaja të tërhiqeshin nga vendi, populli afgan duhej të ishte përgatitur psikologjikisht për këtë dhe atëherë procesi i tërheqjes duhet të kishte filluar. Kishte mangësi në këtë aspekt", tha ai.
Abdullah shtoi se mundësia e krijuar për paqe duhet të përdoret mirë dhe se të gjithë duan një armëpushim dhe paqe.
- Në Afganistan është rritur dhuna
Përderisa procesi i paqes vazhdon në vend, sulmet ende vazhdojnë. Në Afganistan me tërheqjen e forcave të huaja që nga fillimi i majit dhuna është rritur.
Këshilli i Sigurimit Kombëtar të Afganistanit javën e kaluar njoftoi se talebanët kanë kryer 1.455 sulme në muajin maj.
Militantët talebanë morën kontrollin e 15 rretheve në dy muajt e fundit.
Pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden njoftoi se të gjitha trupat amerikane nga Afganistani do të tërhiqen deri në përvjetorin e 11 shtatorit. Deri më tani 44 për qind e ushtrisë amerikane është tërhequr.
Për shkak të përparimit të shpejtë të talebanëve, përpjekjet diplomatike të SHBA-së gjithashtu morën hov.
Sipas të dhënave të OKB-së, talebanët kontrollojnë 50 deri në 70 për qind të territorit të vendit.