Nazmi Abduramani
28 Prill 2016•Përditësim: 28 Prill 2016
PRISHTINË (AA) – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit me admiralin e Flotës Ushtarake Detare të SHBA-ve, Mark E. Ferguson III tha se “asnjë kosovar nuk i është bashkuar grupeve terroriste në gjashtë muajt e fundit”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e Presidencës thuhet se, presidenti Thaçi u shpreh se Aleanca Veriatlantike mbetet çelës për stabilitetin në Kosovë dhe në rajon, duke shtuar se KFOR-i është institucioni më i besueshëm nga popullsia në Kosovë.
Ai tha se Kosova pret që të vendoset dialogu politik me NATO-n dhe të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me Aleancën. “Forca e Sigurisë së Kosovës ka kryer reformat e nevojshme dhe është e gatshme për t’u shndërruar në ushtri, në një forcë multietnike.
Forcat e Armatosura do të jenë të gatshme për programin Partneriteti për Paqe të NATO-s”, ka thënë ai. I pari i vendit theksoi se 90 përqind e popullsisë së Kosovës është pro NATO-s dhe se duhet të shfrytëzohet ky momentum në mënyrë më proaktive, sepse secila vonesë në proceset e integrimeve i hap rrugë ideologjive ekstreme.
Ndërsa, Admirali i Flotës Ushtarake Detare të SHBA-së, Mark E. Ferguson III, tha se me përcaktimin për prioritetet institucionale, Kosova ka gjithnjë e më pak kërcënime për të cilat duhet të përgjigjet NATO. Admirali Ferguson tha se janë me vend prioritetet që të forcohet sundimi i së drejtës, të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar gjë që, sipas tij, nënkupton se ka gjithnjë e më pak kërcënime për të cilat duhet të përgjigjet NATO.
“Kjo është shenjë e mirë, e stabilizimit dhe normalizimit të Kosovës. Jemi të kënaqur me reformat e FSK-së”, tha admirali Ferguson.
Presidenti Thaçi tha në fund se Kosova është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit. “Kosova është shteti i vetëm në rajon që ka ndërmarrë hapa konkret. E kemi miratuar legjislacionin që sanksionon pjesëmarrjen në konflikte të armatosura jashtë Kosovë. Kemi realizuar fushata të vetëdijësimit të opinionit publik që të mos mashtrohen nga organizata terroriste e kriminale të tilla si DAESH. Asnjë kosovar nuk i është bashkuar grupeve terroriste në gjashtë muajt e fundit”, tha presidenti Thaçi.