Dejan Maksimoviç
28 Prill 2016•Përditësim: 29 Prill 2016
SARAJEVË (AA) – Florence Hartmann, ish-zëdhënësja dhe këshilltarja për Ballkanin e Carla del Pontes, ish-kryeprokurores të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, sot në Sarajevë e vizitoi shoqatën e ish të burgosurve në kampet e përqendrimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Shkaku i ardhjes së saj ishte dëshira për të falënderuar viktimat e agresionit në Bosnjë e Hercegovinë të cilët qëndruan në mbrojtje të saj gjatë arrestimit të fundit në prag të dënimit të Radovan Karaxhiçit.
Përfaqësuesit e Shoqatës së të Burgosurve në kampet e përqendrimit në BeH më 24 mars të këtij viti në Hagë morën pjesë në shqiptimin e aktgjykimit të Karaxhiçit. Atë ditë para Tribunalit u shfaq edhe Hartmann, e cila me praninë e saj dëshironte të shpreh mbështetje për të gjitha viktimat e agresionit kundër BeH-së. Megjithatë, disa njerëz nga shërbimi i sigurimit të Tribunalit të Hagës arrestuan Hartmanin.
"Shpejt e kuptova se çfarë po ndodhte. Isha e rrethuar nga njerëzit që kanë nevojë për ndihmë, dhe ata u përpoqën të më shpëtojnë. Ishte kjo një ndjenjë, pavarësisht se për mua ishte një përvojë e keqe, dhe një ndjenjë e pabesueshme, sepse viktimat qëndruan në mbrojtjen time. Kjo ishte si shenjë mirënjohje nga ana e tyre për atë që kam bërë për ta, sepse isha përpjekur të bëjë diçka të mirë për ta, ndjehem shumë e kënaqur. Por gjithashtu, ndjehem fajtore. Shumica e gazetarëve ishin përpjekur që të raportojnë për luftën dhe krimet e saj. Megjithatë, ajo nuk ka sjellë asgjë të mirë, sepse lufta dhe krimet vazhduan", tha Hartmann.
Ajo tha se duhet t'iu ofrohet ndihmë viktimave të luftës në Bosnjë dhe se pret që të mblidhen në Hagë në shqiptimin e vendimit ndaj Ratko Mlladiçit.