Tiranë, tryezë diksutimi për problematikat e komunitetit rom
Diskutimet u fokusuan në çështjet kryesore të planit kombëtar për përfshirjen sociale të romëve dhe egjiptianëve 2016-2020, si arsimimi, strehimi, punësimi, pjesëmarrja në vendimmarrje, etj
Fatjon Cuka,Malik Hasa
06 Prill 2016•Përditësim: 06 Prill 2016
TIRANË (AA) - Tryeza e diskutimit “Forcimi i rolit të Kuvendit të Shqipërisë në kontrollin e zbatimit të legjislacionit që prek problematikat e komunitetit rom në Shqipëri”, ka mbledhur së bashku zyrtarë të lartë të vendit, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik dhe përfaqësues të këtij komuniteti, raporton Anadolu Agency (AA).
Të pranishëm në këtë tryezë ishin kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, koordinatori i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Shqipëri, Brian J. Williams, përfaqësues të Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe zyrtarë nga disa institucione të vendit që merren me problematikat e komunitetit rom.
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, theksoi në fjalën e tij se niveli arsimor i fëmijëve romë është sot një nga problemet kryesore të këtij komuniteti, duke shtuar se pa arsimimin ata nuk do të mund të kenë një të ardhme. "Ne do të punojmë për ndryshimin e kësaj situata. Është kërkuar një seancë dëgjimore për problematikat që Avokati i Popullit ka adresuat në lidhje me problemet që ka ky komunitet. Strehimi është padyshim një nga problemet më serioze të komunitetit. Ne si institucion do të jemi gjithmonë pranë për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve romë dhe egjiptianë edhe në kontekstin e ndërlidhjes me institucionet e tjera”- u shpreh Meta.
Diskutimet në këtë tryezë u fokusuan në çështjet kryesore të planit kombëtar të veprimit për përfshirjen sociale të romëve dhe egjiptianëve 2016-2020, si arsimimi, strehimi, punësimi, pjesëmarrja në vendimmarrje, etj.
Studentët romë të pranishëm në tryezë në diskutimet e tyre u fokusuan në çështjet e përfshirjes së romëve dhe egjiptianëve të arsimuar në administratën publike, si dhe në rëndësinë e ruajtjes së kulturës rome.