Burak Akay
15 Mars 2016•Përditësim: 16 Mars 2016
ÇANAKKALE (AA) – Migrantët vazhdojnë të braktisin vendet e përfshira nga lufta apo përleshjet e armatosura me intensitet më të dobët, për të gjetur një jetë më të mirë në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).
Që rruga e tyre deri në ishullin grek Lesbos të jetë më e shkurtër, “organizatorët” e transportit të tyre kanë filluar të shfrytëzojnë motoskafe dhe varka të tjera të shpejta.
Trafikantët më herët kryesisht përdornin gomone dhe varka me motor me fuqi prej dhjetë kuajsh, por së fundmi migrantët kanë filluar të transportohen edhe në motoskafe luksoze. Prefekti i qytetit turk Çanakala Hamza Erkal, në deklaratën për AA, tha se trafikantët kanë ndryshuar taktikën, me ç’rast në vend të gomoneve kanë filluar të përdorin mjete të shpejta lundrimi më të shpejtë.
“Trafikantët e migrantëve rregullisht ndërrojnë taktikën. Ne sigurisht në këtë aspekt këmbëngulim që sa më mirë të zhvillojmë taktikat tona për t’i parandaluar”, tha Erkal, duke shtuar se janë të vendosur për të pamundësuar kalimin ilegal.
Ai tha se trafikantët për transport të migrantëve përdorin vendet Ayvacik dhe Çanakala, duke marrë parasysh se janë më afër ishullit grek Lesbos. Sipas Erkal-it, trafikantët janë të gatshëm që varkën në vlerë prej rreth pesë mijë lirave turke, e paguajnë madje 50 mijë që sa më shpejtë të transportojnë migrantët deri në Lesbos.
Prefekti Erkal tha se do të parandalojë çdo kalim nga Çanakalaja drejt Lesbosit, qoft me varkë të thjeshtë apo me motoskaf të shtrenjtë.