Zehra Nur Düz
19 Tetor 2019•Përditësim: 20 Tetor 2019
Qyteti i spanjoll i Barcelonës përjetoi ditën e tij më të dhunshme të premten që nga fillimi i protestave kundër vendimit të Gjykatës së Lartë të vendit për të dënuar nëntë liderë katalanas separatistë të hënën e kaluar me burgim nga nëntë deri në 13 vjet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trazirat filluan në Via Layetana dhe u shtrinë në Plaza de Cataluna në qendër të qytetit. Një tjetër nga vendet ku u paraqitën trazirat ishte Sheshi Urquinaona.
Ngjarjet e dhunshme në qytet, në ditën e pestë të protestave kundër dënimit, lanë të paktën 17 persona të arrestuar dhe 62 të plagosur, siç raportohet nga shërbimet shëndetësore të Barcelonës në informacionin e publikuar nga gazeta "El Pais de Espana".
Pamjet e shtypit lokal në fundin e ditës treguan bulevardin Via Layetana pranë Sheshit Urquinaona me plot rrënoja, si dhe gardhe të djegura dhe të shkatërruara.
Policia katalanase, e njohur si Mossos de Escuadra, raportoi se disa zjarre janë shkaktuar nga protestuesit dhe u kanë kërkuar qytetarëve lokalë "të mos shkojnë në Sheshin Urquinaona ose rrugët e afërta të tij".
Mediat lokale gjithashtu treguan se policia hodhi gaz lotsjellës kundër protestuesve në vazhdën e dhunës që shpërtheu natën pas një dite në të cilën afro 500.000 njerëz lëvizën lirshëm nëpër rrugët kryesore të Barcelonës.
Demonstruesit nga qytetet e afërta, si Tarrega, Girona dhe Berga, që janë rreth 100 kilometra larg, erdhën për t'u mobiliziuar këtë të premte në Barcelonë.
Protestat u thirrën nën moton "Marshimi për liri". Protestuesit u mobilizuan me flamuj të Katalonjës dhe posterë me fraza si "liri" dhe "ndaloni shtypjen".
Ndërkaq, greva masive u realizua pas protestave pesëditore, ku pati përleshje të vazhdueshme midis forcave të policisë dhe protestuesve.
Shërbimi i Urgjencës Mjekësore (Sem) i Katalonjës ka raportuar se trazirat në Katalonja kanë lënë gati 400 të plagosur që pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
Nëntë udhëheqësit e e denuar të pavarsisë
Ish-nënkryetari i Qeverisë Katalanase, Oriol Junqueras, u përball me dënimin më të lartë nga Gjykata e Lartë, me 13 vjet burg dhe ndalesa për post publik.
Ish-këshilltarët Raul Romeva, Jordi Turull dhe Dolors Bassa u dënuan me 12 vjet burg dhe ndalesa për post publik.
Carme Forcadell, ish-kryetare i Parlamentit të Katalonjës, u dënua me 11 vjet e gjashtë muaj burg dhe ndalesa për post publik.
Ish-këshilltarët Joaquim Forn dhe Josep Rull u dënuan me dhjetë vjet e gjashtë muaj burg dhe ndalesa për post publik.
Drejtuesi i Asamblesë Kombëtare të Katalonjës, Jordi Sanchez, dhe ai i Omnium Cultural, Jordi Cuixart, u dënuan me nëntë vjet burg dhe ndalesa për poste publike.