Diyar Güldoğan
09 Gusht 2025•Përditësim: 11 Gusht 2025
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se do të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, më 15 gusht në shtetin e Alaskës, transmeton Anadolu.
“Takimi shumë i pritur midis meje, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe Presidentit të Rusisë Vladimir Putin, do të zhvillohet të premten e ardhshme, më 15 gusht 2025, në Shtetin e Madh të Alaskës”, tha Trump në Truth Social.
“Detaje të mëtejshme do të vijojnë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, shtoi ai.
Ndërkohë, edhe Rusia e ka konfirmuar takimin midis dy liderëve.
Ndihmësi presidencial rus, Yury Ushakov, theksoi avantazhet logjistike të mbajtjes së takimit në Alaskë, duke vënë në dukje afërsinë e saj me Rusinë përtej Ngushticës së Beringut.
“Pala amerikane sapo ka njoftuar një marrëveshje të arritur për të organizuar një takim midis presidentit të Rusisë dhe ati të SHBA-së, Vladimir Putin dhe Donald Trump, më 15 gusht, të premten, në Alaskë. Rusia dhe SHBA-ja janë fqinjë të ngushtë, që ndajnë një kufi të përbashkët. Duket mjaft logjike që delegacioni ynë thjesht të fluturojë përtej Ngushticës së Beringut dhe që samiti i rëndësishëm dhe i pritur i udhëheqësve të këtyre dy vendeve të zhvillohet pikërisht në Alaskë”, tha ai në një konferencë shtypi në Moskë.
Ushakov shtoi se Alaska dhe rajoni i Arktikut përfaqësojnë një kryqëzim natyror të interesave ruse dhe amerikane, me një potencial për projekte dypalëshe në shkallë të gjerë.
“Por sigurisht, presidentët do të përqendrohen në diskutimin e opsioneve për arritjen e paqes së qëndrueshme në zgjidhjen e krizës ukrainase”, vuri në dukje ai, duke shtuar se përgatitjet për takimin janë duke vijuar.
Kremlini tha se pret që takimi i ardhshëm presidencial pas Alaskës të jetë në Rusi.
“Nëse shikojmë përpara, është e natyrshme të synojmë mbajtjen e takimit të ardhshëm presidencial midis Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit në territorin rus. Një ftesë e përshtatshme i është bërë tashmë presidentit të SHBA-së”, shtoi Ushakov.