Kaamil Ahmed
06 Mars 2017•Përditësim: 07 Mars 2017
JERUSALEM (AA) – Kongresmeni amerikan, Ron De Santis, shprehu bindjen se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump do të përmbush premtimin e dhënë për zhvendosjen e ambasadës së SHBA-ve nga Tel Avivi në Jerusalem, raporton Anadolu Agency (AA).
Premtimet e Trumpit janë bërë gjatë fushatës zgjedhore presidenciale, por që prej atëherë, ai ka zbutur në masë të madhe përkushtimin rreth kësaj çështjeje.
Prej vitit 1995 e këtej, çdo president amerikan ka nënshkruar në çdo gjashtë muaj një dokument për heqje dorë nga ligji i vitit 1995 i cili bën thirrje për zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem. Afati i dokumentit të fundit të nënshkruar do të skadojë në muajin maj.
Në një fjalim të tij para gazetarëve të tubuar në Jerusalem, Ron De Santis shprehu besimin se Trump mund të mos e nënshkruaj heqjen dorë.
“Nuk besoj se do të bëjë një gjë të tillë dhe të nënshkruaj heqjen dorë, në të njëjtën ditë kur njerëzit do të kremtojnë 50-vjetorin e Ditës së Jerusalemit”, tha De Santis, i cili nga e shtuna në mbrëmje qëndron në një vizitë jozyrtare, për të parë nga afër mundësinë për zhvendosjen e ambasadës.
“Mund të vë bast se nuk do ta bëjë këtë, dhe se do të shpallë zhvendosjen e ambasadës”, tha ai.
Izraeli pretendon se qyteti është "kryeqendra e tyre e përjetshme" pas pushtimit të Jerusalemit Lindor gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk i ka pranuar këto pretendime dhe ambasadat e huaja aktualisht janë në Tel Aviv.