Halit Süleyman
06 Mars 2017•Përditësim: 07 Mars 2017
AL BAB (AA) - Halit Süleyman
Në qytetin Al Bab në afërsi të Halepit, të cilin Ushtria e Lirë Siriane (ULS) e mbështetur nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) në kuadër të operacionit "Mburoja e Eufratit" e kanë çliruar nga organizata terroriste DEASH, qytetarët po përpiqen të mbahen në jetë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Në rrugët e Al Babit çdo ditë rriten lëvizshmëritë, ndërkohë që shihet se tregtarët kanë hapur dyqanet e tyre, ndërsa shitet edhe karburant me bidonë. Në zonat e pastruara nga minat dhe mjetet shpërthyese, sirianët përpiqen t'i nxjerrin gjësendet e tyre nga rrënojat e shtëpive të shembura.
Për shkak luftimeve mes DEASH-it dhe njësiteve të ULS-së, infrastruktura në Al Bab është dëmtuar në masë të madhe. Rryma dhe ujësjellësi në qytet janë të ndërprera, teksa qytetarët përpiqen që ndriçimin ta sigurojnë përmes gjeneratorëve dhe ujin përmes puseve. Al Bab dalëngadalë ka filluar t'i kthehet jetës normale duke fshirë gjurmët e luftës, kurse fëmijët kanë filluar të lozin nëpër rrugë.
Me kthimin e sirianëve të cilët për shkak të dhunës ishin detyruar të migronin në fshatrat dhe vendbanimet përreth, në Al Bab është shfaqur edhe problemi i bukës. Për shkak se furrat në qytet janë të mbyllura, popullata po bën përpjekje që nevojën me bukë ta plotësojë përmes furrave të hapura nga organizatat e shoqërisë civile.
"Kemi shpërndarë bukë për 1.250 familje"
Muhammed Ebu Keshe, njëri nga përgjegjësit në Siri të Fondacionit Turk të Çështjeve Fetare i cili bën shpërndarjen e bukës për nevojtarët në qytetin Al Bab, për AA tha se qytetarët e Al Bab-it kanë filluar të kthehen në qytet.
"Aktualisht në Al Bab ka dhjetë mijë persona. Që nga mëngjesi bëmë shpërndarjen e bukëve për 1.250 familje. Shpërndarja ende vazhdon. Kanë ngelur edhe katër-pesë lagje për të realizuar ndihmat. Edhe atyre së shpejtë do t'ju dërgojmë bukë", njofton Keshe.
"Do të shpërndajmë 750 pako me produkte ushqimore"
Duke theksuar se do të vazhdojnë ndihmat për familjet e kthyera në Al Bab, Keshe shprehet se "Me lejen e Zotit, sot do të shpërndajmë 750 pako me produkte ushqimore. Do të arrijmë deri te familjet nevojtare dhe do t'ua mundësojmë mbështetjen e duhur.
Ndryshe, TSK dhe ULS, pas pastrimit të pjesës midis Azezit dhe Jarabulusit në kuadër të operacionit "Mburoja e Eufratit" të filluar më 24 gusht, në dhjetor të vitit 2016 u drejtuan kah Al Bab. Njësitet e ULS-së më 23 shkurt çliruan qytetin nga DEASH-i, teksa në të njëjtën ditë nga organizata mori edhe qytezën Kabasin dhe fshatin Bizza.