Michael Gabriel Hernandez
03 Gusht 2020•Përditësim: 03 Gusht 2020
Presidenti amerikan Donald Trump shprehi sot kundërshtime të ashpra në publik ndaj Deborah Birx, koordinatores së task forcës për përballjen me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e quajtur atë "patetike", pasi ajo lëshoi një paralajmërim të qartë për përhapjen e virusit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Pra, Nancy Pelosi e çmendura tha gjëra të tmerrshme për Deborah Birx, duke akuzuar atë, pasi ajo ishte shumë pozitive në punën shumë të mirë që ne po bëjmë në luftimin e Virusit të Kinës, duke përfshirë vaksinat dhe terapeutikët", shkroi Trump në Twitter.
"Për të kundërshtuar Nancy-n, Deborah ra në grackë dhe na kundërshtoi neve. Patetike!", shtoi ai.
Denoncimi i mprehtë i Trump për Birx vjen pasi ai vazhdon të mbetet prapa kandidatit të supozuar të Demokratëve, Joe Biden, në sondazhet mbarëkombëtare. Një sondazh i bërë javën e kaluar nga Qendra për Studimin e Çështjeve Publike të Associated Press-NORC, tregoi se më pak se 1/3 e amerikanëve mbështesin përpjekjet e presidentit Trump për trajtimin e pandemisë.
Birx dje paralajmëroi se koronavirusi i ri është "jashtëzakonisht i përhapur" në SHBA, duke goditur zonat rurale dhe ato urbane në mënyrë të barabartë, për dallim nga paraqitja e tij fillestare vetëm nëpër qendrat kryesore urbane në fillim të këtij viti.
"Të gjithë ju që jetoni në zona rurale, nuk jeni imunë ose të mbrojtur nga ky virus", tha haptas Birx gjatë një interviste me CNN.
"Kjo epidemi tani është e ndryshme, është më e përhapur dhe është edhe rurale, edhe urbane", shtoi ajo.
Këto komente erdhën pasi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në një intervistë për ABC News tha se nuk ka besim në Birx, duke shtuar: "Mendoj se Presidenti po përhap dezinformata për virusin dhe ajo është e emëruerja e tij".
SHBA mbetet vendi me numrin më të madh të rasteve të njohura të koronavirusit dhe vdekjeve, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti amerikan Johns Hopkins.
Vendi ka regjistruar gjithsej 4,68 milionë raste të konfirmuara dhe pothuajse 155 mijë vdekje.