Hakan Çopur
21 Shkurt 2017•Përditësim: 21 Shkurt 2017
WASHINGTON (AA) – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka emëruar gjeneral-kolonelin Herbert Raymond McMaster (54) për këshilltar të Sigurisë Kombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Me emërimin e tij në këtë pozicion, McMaster do të trashëgojë Michael Flynn-in i cili dha dorëheqje pas skandalit me bisedat e dyshimta telefonike të cilat i ka zhvilluar me administratën ruse për çka nuk kishte njoftuar zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence.
Ushtruesi i deritanishëm i detyrës së këshilltarit për siguri kombëtare, Keith Kellogg do të marrë përsipër detyrën e shefit të personelit në Këshillin Kombëtar për Siguri.
Në një deklaratë të tij, Trump tha se kombinimi McMaster- Kellogg, “është diçka vërtetë e veçantë”.
“Ai është njeri me talent të jashtëzakonshëm dhe me përvojë të madhe. Ai gëzon respekt të madh në të gjithë ushtrinë”, tha Trump për këshilltarin e sapoemëruar.
H.R. McMaster, ashtu siç e quajnë shkurtimisht, ka qenë i përfshirë në luftimet në Irak dhe Afganistan ndërsa ka punuar edhe në disa operacione anti-korrupsion, ndërkohë që gëzon epitetin e njërit nga intelektualët më të mëdhenj në ushtrinë amerikane.
Rikujtojmë se zgjedhja e parë e Donald Trumpit, admirali i pensionuar Robert Harward, refuzoi detyrën.