Mahmoud Barakat
27 Nëntor 2018•Përditësim: 27 Nëntor 2018
TUNIS (AA) - Qindra tunizianë protestuan në kryeqytetin e vendit, Tunis, kundër vizitës së planifikuar nga princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman, raporton Anadolu Agency (AA).
Si pjesë e turneut të tij të parë jashtë shtetit që nga vrasja e kolumnistit të Washington Post Jamal Khashoggi në Konsullatën Saudite në Stamboll, princi Mohammed pritet të mbërrijë në Tunizi sot në mbrëmje pas vizitës në Egjipt.
Megjithëse Gjykata Mbretërore Saudite nuk i ka përmendur vendet e tjera që princi i kurorës do t'i vizitojë, ai pritet gjithashtu të vizitojë Algjerinë dhe Mauritaninë.
Mohammed bin Salman tashmë ka vizituar Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin si pjesë e turneut të tij.
Qindra demonstrues u tubuan në bulevardin Habib Bourguiba në Tunis.
Protestuesit mbanin banderola me slogane si "Tunizi nuk është në shitje" dhe "Njerëzit duan të dëbojnë Mohammed bin Salmanin", si dhe slogane të tjera kundër asaj që është përfolur si normalizim i marrëdhënieve me Izraelin. Gjatë protestës u ngritën flamuj të Tunizisë, Algjerisë Mauritanisë, Egjiptit dhe Palestinës.
Ndërsa Arabia Saudite fajësoi një skuadër operativësh sauditë për vrasjen e Khashoggit më 2 tetor, deklaratat e ndryshueshme të qeverisë saudite ngjallën dyshime. Një vlerësim i CIA-s gjatë këtij muaji implikoi princin saudit në vrasje.
Ndonëse fillimisht qeveria saudite tha se Khashoggi ishte larguar nga konsullata, ajo disa javë më vonë pranoi se ai ishte vrarë brenda saj.
Tunizia ishte vendlindja e kryengritjeve të quajtura si "Pranvera Arabe" që përfshinë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në fillim të vitit 2011, duke përmbysur regjimin e sundimtarit autoritar Zein Al Abidine Ben Ali.
Pas largimit nga Tunizia mes protestave të mëdha kundër sundimit të tij, Ben Ali shkoi në Arabinë Saudite, ku aktualisht banon.