Ekip
19 Gusht 2021•Përditësim: 20 Gusht 2021
Turqia dhe Somalia në kryeqytetin somalez Mogadishu festuan 10 vjetorin e marrëdhënieve të ngushta, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoni morën pjesë zv/kryeministri Khadar Guiled, zyrtarë të lartë të qeverisë dhe ambasadori turk në Somali, Mehmet Yılmaz.
"Sot ne po përkujtojmë dhjetëvjetorin e vëllazërisë dhe miqësisë midis Somalisë dhe Republikës së Turqisë. Presidenti Erdoğan vizitoi Somalinë më 19 gusht 2011, në atë kohë Somalia ishte në nevojë për shkak të urisë së madhe dhe thatësirës së madhe", tha ministri i Informacionit, Osman Dubbe.
Guiled tha se miqësia dhe marrëdhëniet vëllazërore kanë arritur përfitime solide në procesin e shtetndërtimit në Somali.
"Dhjetë vjet marrëdhënie vëllazërore midis Somalisë dhe Turqisë, përparim i prekshëm është arritur duke përfshirë arsimin, shëndetin, marrëdhëniet e biznesit, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet dypalëshe, rindërtimin e ushtrisë kombëtare somaleze dhe diplomacinë", tha ai.
Sipas ministrit somalez të Financave, Abdirahman Duale Beileh, shumica e të ardhurave të qeverisë vijnë nga aeroporti dhe porti i Mogadishus, në të cilat siç theksoi ai, Turqia kontribuoi shumë në ringjalljen.
"Vizita historike e presidentit Erdoğan në Mogadishu dhjetë vjet më parë, ka qenë një burim frymëzimi për të gjithë botën dhe ka ngjallur shpresat e Somalisë", thuhet në një postim të Ministrisë së Jashtme të Turqisë në Twitter.
"Ne do të vazhdojmë të jemi pranë Somalisë mike dhe vëllazërore", thuhet gjithashtu në postim.