16 Shtator 2019•Përditësim: 16 Shtator 2019
Turqia sot do të jetë nikoqire e samitit të pestë trepalësh me pjesëmarrjen e liderëve turq, rusë dhe iranianë në formatin e Astanas, ku pika kryesore në rendin e ditës do të jetë trazira siriane, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, do të takojë homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe homologun iranian, Hassan Rouhani, në rezidencën presidenciale në Ankara ku do të mbahet samiti trepalësh.
Samiti synon të vlerësojë zhvillimet e fundit në Sirinë e lodhur nga lufta, në veçanti qytetin veriperëndimor Idlib, përfundimin e klimës së konfliktit, sigurimin e kushteve të nevojshme për kthimin vullnetar të refugjatëve, arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm dhe zgjidhjen politike për trazirën siriane.
Gjatë bisedimeve dypalëshe, pritet që presidenti Erdoğan po ashtu të shkëmbejë mendime me homologët e tij për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Procesi i paqes i Astanas, që synon t’i japë fund konfliktit sirian, filloi në janar të vitit 2017 me iniciativat e Turqisë, Rusisë dhe Iranit. Gjithsej 13 raunde u zhvilluan në Astana të Kazakistanit.
Shtatorin e kaluar, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë de-eskalimi ku aktet e agresionit janë të ndaluara.
Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij kanë thyer vazhdimisht kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës së de-eskalimit.
Zona aktualisht është e banuar nga rreth 4 milionë civilë, përfshirë qindra mijëra njerëz të shpërngulur vitet e fundit nga forcat e regjimit nga qytete të të gjithë vendit të lodhur nga lufta.
Erdoğan ka paralajmëuar se agresioni i mëtejshëm nga regjimi dhe aleatët mund të shkaktojë fluks të miliona refugjatëve në Turqi, e cila aktualisht pret mbi 3.6 milionë sirianë të zhvendosur.