Fatih Erel
19 Shtator 2016•Përditësim: 20 Shtator 2016
GJENEVË (AA) - Turqia i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të hetojnë shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që YPG-ja, zgjerimi i organizatës terroriste PKK në Siri, po kryen me ndryshimin e strukturës demografike dhe tentativën për shpërbërjen e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Komisionit të Pavarur Hetimor Ndërkombëtar të OKB-së për Sirinë, Paulo Sergio Pinheiro, në zyrën e OKB-ve në Gjenevë i ka prezantuar Këshillit të OKB-së për të Drejtat e njeriut raportin e fundit për të drejtat e njeriut në Siri, ku ka dhënë informacione në lidhje me zhvillimet e fundit në vend. Në këtë sesion ka mbajtur një fjalim edhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, ambasadori Mehmet Ferden Çarıkçı.
Çarıkçı, në fjalën e tij u shpreh se "Raporti i komisionit të OKB-së përfshin provat që vërtetojnë krimet e kryera të regjimit të Sirisë i cili vendos në mënyra të ndryshme në objektiv të gjithë civilët në vend. Edhe mekanizmi kërkimor i përbashkët i OKB-ve ka vërtetuar se regjimi është përgjegjës për dy armët kimike të përdorura së fundmi në vend dhe të cilat përbëjnë krim lufte dhe kundër njerëzimit. Regjimi ka të njëjtin mentalitet me DAESH-in i cili përdor armë kimike. DAESH përbën një rrezik për rajonin dhe përtej tij."
Duke vënë në dukje se edhe YPG-ja, zgjerimi i organizatës terroriste PKK në Siri, ka kryer shkelje të të drejtave të njeriut, Çarıkçı tha "Shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut nga YPG-ja duhet të hetohen në mënyrë të detajuar dhe të veçantë nga Komisioni i OKB-së. Aktivitetet e YPG-së si rrëmbimi i politikanëve kurdë dhe ndryshimi i strukturës demografike mund të shkaktojnë ndarjen e Sirisë."
Pasi ka shprehur kënaqësinë e Turqisë për marrëveshjen e ndalimit të konflikteve në Siri, Çarıkçı ka theksuar se regjimi i Sirisë pengon qasjen e ndihmave humanitare në vend pavarësisht vendimit të KS të OKB-së.
OKB thirrje për zbatim të armëpushimit
Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i OKB-së për Hetimet në Siri, duke i bërë thirrje të gjitha palëve të zbatojnë marrëveshjen për përfundimin e konflikteve në Siri, ka theksuar se nuk duhet të lejohet që asnjë forcë politike të politizojë ndihmat humanitare në Siri.
Kryetari i komisionit Pinheriro tha se "marrëveshja për përfundimin e konflikteve në Siri e arritur mes Rusisë dhe SHBA-së jep shpresë pavarësisht se është e pakët për ti dhënë fund krizës në vend."
Duke vënë në dukje se marrëveshja për javën e kaluar ka pakësuar dhunën dhe humbjet e civilëve në vend, Pinheiro u shpreh: "Të gjitha palët duhet ti përmbahen marrëveshjes së rinovuar për përfundimin e konflikteve në Siri."
"Sirianët vazhdojnë të largohen nga lufta. Kemi probleme që të marrim informacione në lidhje me shkeljet e drejtave të njeriut në Siri dhe në qasjen për dëshmitarët dhe viktimat. I bëjmë thirrje vendeve që strehojnë refugjatë në Evropë që të na mundësojnë qasjen dhe të heqin pengesat për punimet tona", u shpreh ai.
Ndër të tjera Pinheiro ka shtuar se "Që nga fillimi i vitit e deri tanë në vend janë kryer sulme ndaj 71 qendrave shëndetësore. Vetëm në Halep kanë qenë në objektivin e sulmeve ajrore 25 spitale dhe klinika. Me bllokimin në shtator të 2 rrugëve të fundit për qasjen në Halep ku dërgoheshin ndihma humanitare në qytet kanë nisur të jetojnë nën rrethim 275 mijë persona".