Ayhan Mehmet
16 Prill 2025•Përditësim: 16 Prill 2025
Turqit në Thrakinë Perëndimore deklaruan se Greqia vazhdon të shpërfillë shkeljet e të drejtave të tyre dhe se liria e tyre e organizimit po cenohet pavarësisht vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të publikuar nga Federata Evropiane e Turqve të Thrakisë Perëndimore (ABTTF), është reaguar ndaj deklaratës me shkrim të publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë në përgjigje të një postimi në rrjetet sociale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Türkiyes me rastin e 98-vjetorit të themelimit të Unionit Turk të Ksanthit (ITB).
Në deklaratë thuhet se Greqia e interpreton Traktatin e Lozanës sipas dëshirave të saj dhe vazhdimisht shmang vendosjen e një dialogu të drejtpërdrejtë me komunitetin turk të Thrakisë Perëndimore.
"Ne, që prej shekujsh jetojmë në Thrakinë Perëndimore, jemi turq po aq sa të krishterët që jetojnë në Istanbul, Gökçeada dhe Bozcaada janë me origjinë greke", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu theksohet se ndërsa është dhënë leje për të hapur një shkollë fillore private greke vetëm për tre fëmijë në Gökçeada në vitin 2013, nga ana tjetër, një nga shoqatat më të vjetra në rajon në Thrakinë Perëndimore është mbyllur me arsyetimin se emri i saj përfshinte fjalën "turke" dhe se janë shfaqur shqetësime madje edhe në festimin e përvjetorit të kësaj shoqate.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se vendimet e GJEDNJ-së kundër Greqisë në lidhje me shoqatat, përfshirë ITB-në, nuk janë zbatuar për 17 vjet dhe se liria e organizimit në vend po shkelet haptazi.