Riyaz Khaliq Khaliq
05 Maj 2023•Përditësim: 06 Maj 2023
Një tërmet me magnitudë 6,5 ka ndodhur në provincën Ishikawa në Japoninë perëndimore, transmeton Anadolu.
Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze (JMA), një tërmet me magnitudë 6.5 goditi Gadishullin Noto në brigjet e Ishikawas.
JMA-ja përditësoi magnitudën e tërmetit, e cila ishte 6,3 ballë, në 6,5, kurse thellësia në të cilën ndodhi tërmeti ishte 12 kilometra.
Theksohet se një person ka vdekur dhe një tempull është shembur në qytetin e Suzus, ku lëkundjet e forta janë ndier në orën 14:42 me kohën lokale.
12 persona u plagosën lehtë në gjithë rajonin.
Thuhet se nuk ka pasur asnjë paralajmërim për "valë gjigante" në rajon pas lëkundjes dhe se gjatësia e valës në bregdet është rritur me 10 centimetra.
Gjithashtu thuhet se katër linja në rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë u pezulluan dhe nga kjo u prekën 8 mijë pasagjerë.
Lëkundje të forta u ndien në gjithë provincën bregdetare Ishikawa, veçanërisht në qytetet Wajima dhe Suzu.
Sipas Televizionit Shtetëror NHK, tërmeti është ndier edhe në Niigata, Toyama dhe Fukui në bregun e Detit të Japonisë (Detit Lindor).
Është raportuar se nuk ka pasur situata anormale në termocentralin bërthamor Shika në provincën Ishikawa dhe centralin bërthamor Kashiwazaki-Kariwa në provincën Niigata.
Nga ana tjetër, një tërmet i dytë me magnitudë 5,8 ka ndodhur në orën 21:58 me orën lokale, sipas JMA-së.