Mohamed Sabry Emam Muhammed
17 Nëntor 2019•Përditësim: 18 Nëntor 2019
Pas protestave që shpërthyen në Iran, udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei përsëriti mbështetjen e tij për vendimin e qeverisë lidhur me rritjen e çmimit të karburantit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Unë nuk jam ekspert i kësaj fushe, por kam thënë më parë se do të mbështesja çdo vendim që marrin krerët e tre institucioneve (legjislativi, gjyqësori, administrativi)", tha Khamenei në një deklaratë, cituar nga agjensia e lajmeve gjysmëzyrtare Mehr.
Demonstratat kanë shpërthyer në gjithë Iranin që nga e premtja pasi qeveria vendosi sistemin e kufizimit të benzinës dhe rritjen e çmimeve të karburantit.
Të paktën një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur në protesta.
Zyrtarët iranianë thonë se politika e re e karburantit, e cila ka çuar në rritjen e çmimeve me të paktën 50 për qind, do të sigurojë para për të ndihmuar të varfërit.
Khamenei i bëri thirrje qeverisë të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të lehtësuar shqetësimet ekonomike të njerëzve.
"Autoritetet duhet të shfrytëzojnë të gjitha kapacitetet e tyre për të minimizuar shqetësimet e njerëzve lidhur me këtë plan", tha ai.
Irani është goditur fort nga rivendosja e sanksioneve amerikane vitin e kaluar pasi presidenti Donald Trump tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Teheranin.