Ekip
24 qershor 2021•Përditësim: 24 qershor 2021
Udhëheqësit e Bashkimit Evropia (BE) janë mbledhur në Bruksel të enjten për samitin dyditor ku do të diskutojnë marrëdhëniet me Turqinë dhe Rusinë, si dhe zhvillimet e fundit në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
"Me gjasë do të kemi një agjendë pozitive me kusht që të kemi një angazhim konstruktiv nga Turqia", deklaroi për AA një zyrtar i lartë i BE-së përpara takimit të udhëheqësve.
"Ne jemi duke punuar në një dimension tjetër, punimet teknike filluan në mandatin për modernizimin e Bashkimit Doganor, në përputhje me parimet" të cilat udhëheqësit i përshkruan gjatë samitit të tyre në mars, shtoi zyrtari.
Udhëheqësit e BE-së do të flasin gjithashtu për mbështetjen financiare për refugjatët e strehuar nga Turqia, konfirmoi në fillim të kësaj jave zëdhënësja e nënkryetarit të Komisionit Evropian, Dana Spinant.
Megjithatë, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së nuk pritet të marrin një vendim mbi të ardhmen e marrëdhënieve BE-Turqi. Ata do të vlerësojnë vetëm projekt propozimet e Komisionit Evropian të paraqitura nga kryetarja e Komsionit, Ursula von der Leyen.
Përpara samitit, Von der Leyen, bisedoi në telefon me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të hënën.
Ajo e quajti shkëmbimin e tyre "një bisedë të mirë" në një postim në mediat sociale dhe shpjegoi se ata kishin "diskutuar rreth marrëdhënieve BE-Turqi, COVID-19, tregtinë dhe Bashkimin Doganor, situatën në Mesdheun Lindor, migrimin dhe zhvillimet në Afganistan”.
- Marrëdhëniet me Rusinë dhe COVID-19
Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të diskutojnë gjithashtu strategjinë e bllokut përballë Rusisë.
Javën e kaluar, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, shpalosi rekomandimet e tij ku sugjeronte ndërtimin e politikës së bllokut në tre parime kryesore, domethënë "refuzimi, kufizimet dhe angazhimet rreth Rusisë".
Të mërkurën, qeveritë franceze dhe gjermane publikuan mendimet e tyre mbi lidhjet BE-Rusi, duke propozuar përmirësimin e marrëdhënieve dhe organizimin e një samiti midis udhëheqësve të BE-së dhe Presidentit rus, Vladimir Putin.
Udhëheqësit gjithashtu do të vlerësojnë luftën e bllokut kundër pandemisë COVID-19, duke përfshirë vaksinimin dhe kufizimet e udhëtimit.
Dita e dytë e samitit do t'i kushtohet çështjeve ekonomike.