Hacer Başer
05 gusht 2020•Përditësim: 05 gusht 2020
Presidenti i Libanit, Michel Aoun, tha se vendi i tij është i vendosur të hetojë shpërthimin në Portin e Bejrutit dhe të ndëshkojë "përgjegjësit dhe neglizhuesit", raporton Anadolu Agency (AA).
"Libani është i vendosur të hetojë dhe ndëshkojë përgjegjësit dhe neglizhuesit", tha Aoun, i cili mbajti një konferencë shtypi me kryeministrin Hassan Diab pas takimit të kabinetit në kryeqytetin Bejrut.
Duke deklaruar se rezultatet e hetimit do të njoftohen në mënyrë transparente dhe do t'i paraqiten gjykatës kompetente, Aoun i bëri thirrje Komisionit të Lartë të Ndihmës të ndërmarrë aktivitete gjithëpërfshirëse dhe të bëjë përpjekje intensive për të kompensuar të gjithë ata që pësuan dëme nga shpërthimi i djeshëm.
Duke lëvduar punën e njësive të sigurisë, punonjësve të kujdesit shëndetësor, zjarrfikësve dhe ekipeve të mbrojtjes civile, Aoun gjithashtu falënderoi vendet që dërguan ndihmë në Liban.
Ai përsëriti se vendi i tij po kalon një krizë të madhe ekonomike dhe bëri thirrje për mobilizim të shpejtë për të mbështetur spitalet dhe për rindërtimin e zonave të shkatërruara.
"Përjetuam një tronditje të madhe"
Ndërkaq, kryeministri Hassan Diab kërkoi gjithashtu përshpejtim të aktiviteteve për gjetjen e personave të mbetur nën rrënoja dhe rritje të përpjekjeve për të trajtuar të plagosurit dhe për të siguruar strehim të përkohshëm për ata që humbën shtëpitë e tyre.
"Përjetuam një tronditje të madhe. Kjo katastrofë tejkalon forcën e të shprehurit. Shpresojmë që të gjitha fuqitë politike t'i lënë debatet mënjanë dhe të përqendrohen në këtë fatkeqësi që ka përfshirë vendin. Të gjithë duhet të përpiqen dhe të ndajnë kohë për të ndihmuar", theksoi Diab.
Ndryshe, sipas Kryqit të Kuq të Libanit, të paktën 100 persona humbën jetën dhe rreth 4.000 mijë u plagosën nga shpërthimi i fuqishëm që ndodhi dje në Bejrut pas një zjarri në një depo me lëndë shpërthyese në Portin e Bejrutit.