Abdulbesar Ademi
24 Dhjetor 2025•Përditësim: 24 Dhjetor 2025
Trafiku në urën George Washington që lidh New Yorkun dhe New Jerseyin është rënduar pasi një numër rekord amerikanësh po udhëtojnë për festat e fundvitit, raporton Anadolu.
Vlerësohet se rreth 122.4 milionë persona pritet të udhëtojnë gjatë periudhës mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, duke e bërë këtë një nga sezonet më të ngarkuara të udhëtimeve në histori.
Autoritetet e transportit paralajmëruan për vonesa të gjata në rrugë, aeroporte dhe stacione hekurudhore, duke u bërë thirrje udhëtarëve të planifikojnë paraprakisht dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për trafikun dhe motin.
Shoqatat automobilistike thanë se shumica dërrmuese e udhëtimeve po realizohen me automjete private, çka ka shtuar ndjeshëm fluksin në autostrada dhe ura kryesore.
Ndërkohë, linjat ajrore raportuan nivele të larta rezervimesh dhe operime pothuajse në kapacitet të plotë.