Beyza Binnur Dönmez
28 Shkurt 2022•Përditësim: 01 Mars 2022
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i bëri thirrje BE-së për "aderimin e menjëhershëm" të Ukrainës në bllok, raporton Anadolu Agency (AA).
Zelenskyy theksoi se Ukraina meriton të jetë anëtare e BE-së, duke thënë se ai beson se kjo do të jetë e mundur.
"I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian për pranimin e menjëhershëm të Ukrainës sipas një procedure të re speciale", tha Zelenskyy gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit.
Ai gjithashtu u bëri thirrje ushtarëve rusë që sulmojnë vendin e tij që të hedhin armët dhe të shpëtojnë jetën e tyre.
"Hidhni armët dhe shkoni. Mos u besoni komandantëve tuaj, propaganduesve tuaj. Thjesht shpëtoni jetën tuaj", tha Zelenskyy.
Presidenti shtoi se Ukraina do të lirojë të burgosurit me përvojë lufte për të luftuar në pikat e nxehta të luftës me Rusinë dhe në mënyrë që ata të mund të kompensojnë krimet e tyre.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka hyrë në ditën e tij të pestë pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ndërhyrjen ushtarake të enjten e kaluar, disa ditë pasi njohu dy enklavat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.
Ndërhyrja shkaktoi reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa BE, Britani e Madhe dhe SHBA zbatuan një sërë sanksionesh ekonomike kundër Kremlinit.
Rusia është izoluar më tej pasi kompanitë e saj ajrore u ndaluan të fluturojnë në hapësirën ajrore evropiane, si dhe në hapësirën ajrore kanadeze, kurse një numër i bankave të saj janë përjashtuar nga sistemi bankar ndërkombëtar SWIFT.