Sibel Vezaj
08 Korrik 2017•Përditësim: 09 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) - Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova kërkon nga udhëheqësit politikë në Kosovë të formojnë një qeveri të qëndrueshme që do t'i shërbejë interesave të popullit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e BE-së në Kosovë, thuhet se Apostolova pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, përgëzoi popullin dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Ajo po ashtu u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që t’i marrin seriozisht rekomandimet e Misionit të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe t’i zbatojnë ato në mënyrën e duhur.
“Tani është përgjegjësi e udhëheqësve politikë të dëgjojnë qytetarët e tyre dhe të formojnë një qeveri të qëndrueshme që do t'i shërbejë interesave të popullit. Kosova përballet me shumë sfida, duke filluar nga papunësia e lartë dhe sistemi arsimor me performancë të ulët, deri te korrupsioni dhe sundimi i dobët i ligjit, të cilat mbeten pengesë për tërheqjen e investimeve të qëndrueshme për zhvillimin e ekonomisë. Prandaj është e rëndësishme që liderët politikë t'i marrin seriozisht këto sfida, të formojnë një qeveri të fortë dhe të fillojnë reformat që populli i kërkon”, ka thënë Apostolova.
Duke rikujtuar takimin e përfaqësueses së Lartë dhe nënkryetares së Komisionit Evropian Federica Mogherini me presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Apostolova tha se kjo rikonfirmon angazhimin e BE-së për perspektivën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së.
“Ne presim zbatimin pa vonesë të marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut. BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë qytetarët e Kosovës", thekson ajo.
Pa marrë parasysh se kush e formon qeverinë e re, Apostolova thotë se BE-ja pret një përshpejtim dhe zbatim të axhendës për reforma të BE-së.
“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. Njerëzit e Kosovës presin një udhëheqje të përgjegjshme që do të bëjë përparime të rëndësishme përgjatë rrugës evropiane. Tani u takon atyre udhëheqësve që ta bëjnë këtë", ka thënë së fundmi Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ndryshe, sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Republikës së Kosovës certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që u mbajtën më 11 qershor 2017, pas marrjes së konfirmimeve nga ana e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe nga Gjykata Supreme se në këto institucione nuk ka ndonjë çështje për të vendosur.