Burç Eruygur
11 Janar 2023•Përditësim: 11 Janar 2023
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka hequr shtetësinë e katër deputetëve, duke përfshirë politikanin opozitarë Viktor Medvedchuk, i cili ishte pjesë e shkëmbimit të burgosurve me Rusinë shtatorin e kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).
Parlamenti ukrainas ka pranuar një dekret presidencial i cili kërkon heqjen e shtetësisë të Medvedchuk, Andrii Derkach, Taras Kozak dhe Renat Kuzmin, sipas kryetarit të parlamentit ukrainas, Ruslan Stefanchuk.
"Parlamenti do ta shqyrtojë urgjentisht çështjen në seancën e ardhshme plenare", shkroi Stefanchuk në një postim në rrjetin social Facebook.
Në një video të martën vonë, Presidenti Zelenskyy tha se vendimin e mori duke u bazuar në "materialet e rastit të përpiluara nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe Shërbimi Shtetëror i Migracionit të Ukrainës, dhe në përputhje me kushtetutën".
Ai tha se do të pasonin më shumë vendime të tilla, duke paralajmëruar veprime kundër "deputetëve të cilët zgjedhin t'u shërbejnë vrasësve që kanë hyrë në Ukrainë, e jo popullit të Ukrainës".
Medvedchuk ishte pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve që përfshinte 55 ushtarakë rusë shtatorin e kaluar.
Ukraina akuzoi Medvedchuk për tradhti, promovim të terrorizmit dhe plaçkitje të burimeve kombëtare në Krime, rajoni ukrainas i aneksuar ilegalisht nga Rusia në vitin 2014.