Bahtiyar Abdülkerimov
08 qershor 2022•Përditësim: 08 qershor 2022
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se ushtria ruse ka humbur 140 ushtarë të tjerë në 24 orët e fundit dhe se numri i ushtarëve rusë të vrarë në luftë deri më sot ka arritur në 31.500, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi për humbjet e ushtrisë ruse mes periudhës 24 shkurt-8 qershor, ndërsa thuhet se ushtria ruse në 24 orët e fundit ka humbur edhe 150 ushtarë të saj.
Sipas njoftimit, ushtria ruse në 24 orët e fundit ka humbur 140 ushtarë, 6 mjete ajrore pa pilot, 1 helikopter, 3 tanke, 9 topa, 6 raketahedhëse dhe 13 mjete të blinduara.
Ndërkohë, që nga fillimi i luftës ushtria ruse ka humbur 31.500 ushtarë dhe janë rrëzuar 212 avionë dhe 178 helikopterë, ndërsa janë shkatërruar 1.393 tanke, 3.429 mjete të blinduara, 703 topa, 213 sisteme raketahedhëse dhe 96 sisteme të mbrojtjes ajrore që u përkasin rusëve.
Derisa forcat ruse kanë humbur 2.406 automjete, 13 anije dhe skafe të lehta shpejtësie dhe 559 mjete ajrore pa pilot (dronë), theksohet se nga njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës janë goditur dhe shkatërruar edhe 125 raketa lundruese të lëshuara nga rusët.
Më tej, njoftohet se luftimet vazhdojnë në drejtim të rajonit Severedonetsk dhe se trupat ruse të cilat vazhdojnë sulmet për të përmirësuar situatën taktike në drejtim të zonës Slovyansk kanë pësuar shumë humbje në këtë rajon.
Ushtria ruse vazhdon të hapë zjarr në distancë ndaj vendbanimeve në drejtim të zonës Bahmutska dhe po përpiqet të mbajë zonat që ka marrë nën kontroll në drejtim të Kharkiv.
Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë më 25 mars njoftoi se në Ukrainë kanë humbur jetën 1.351 ushtarë rusë.