Enes Canlı
02 Qershor 2020•Përditësim: 03 Qershor 2020
Në Libi vazhdojnë konfliktet në zonat përreth aeroportit të Tripolit mes ushtrisë libiane dhe milicëve të Khalifa Haftar, liderit të forcave të armatosura jolegjitime në lindje të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ekipi i AA-së filmoi konfliktet e shënuara mes milicëve të Haftarit dhe ushtrisë së Libisë në zonën Remle përreth aeroportit ndërkombëtar të Tripolit në jug të kryeqytetit.
Në pamje vërehet shkatërrimi i madh i zonës me vendbanime civile që ndodhet përreth aeroportit nën pushtimin e milicëve të Haftarit.
Ka tërhequr vëmendjen që njësitë e ushtrisë kanë vazhduar përgatitjet përpara sulmit dhe kanë transferuar në front mjetet me armë të rënda.
- Sukseset e ushtrisë së Libisë kohët e fundit
Ushtria e Libisë kohët e fundit ka kryer një sërë operacionesh të suksesshme ushtarake kundër milicëve të Haftarit.
Njësitë e ushtrisë së fundmi më 25 maj pastruan nga milicët një zonë të gjerë përfshirë kampet ushtarake Yarmouk, Sawarikh dhe Hamza në jug të kryeqytetit.
Pasi milicët e Haftarit u tërhoqën nga disa pika në jug të kryeqytetit, u zbulua se ata kishin ngritur shumë kurthe me shpërthyes nëpër ndërtesa dhe nëpër rrugë në zonat e banuara.
Të dielën njësitë e ushtrisë kaluan në përparim drejt aeroportit të Tripolit duke pastruar nga milicët disa zona përreth aeroportit.
Milicët e Haftarit më 4 prill 2019 filluan sulmin për të marrë nën kontroll kryeqytetin Tripoli dhe e futën vendin në një spirale të dhunës. Gjatë kësaj periudhe u vendosën në objektiv shumë zona të banuara civile dhe shumë civilë humbën jetën. Milicët e Haftarit pushtuan aeroportin në kryeqytet më 6 prill 2019.