Gözde Bayar,Mahmoud Mohamed Barakat
21 Maj 2020•Përditësim: 21 Maj 2020
Forcat ajrore të Libisë sot neutralizuan 12 militantë të komandantit renegat Khalifa Haftar pranë qytetit qendror bregdetar Sirte, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i ushtrisë libiane, koloneli Mohamed Qanunu, në një deklaratë tha se sulmi ajror u zhvillua "në zonën Mirah, afër Sirtes, gjatë së cilës u shënjestruan automjete të armatosura".
Ai tha se 12 militantë të Haftarit u vranë dhe disa u plagosën në sulmin ajror.
Qanunu gjithashtu tha se operacionet e vëzhgimit janë duke u zhvilluar në Tarhuna, Al-Washka dhe Al-Asaba.
Më herët, ushtria libiane njoftoi se kishte kryer pesë operacione ajrore kundër militantëve të Haftarit në 24 orët e fundit.
Qanunu në një deklaratë tha se sulmet ajrore u kryen kundër militantëve të Haftarit në qytetin Tarhuna, në jugperëndim të kryeqytetit Tripoli.
Dy automjete ushtarake dhe një transportues municioni u shkatërruan ndërsa ushtria bëri fluturime vëzhgimi mbi Tarhuna, shtohet në deklaratë.
Të mërkurën, ushtria libiane shkatërroi një sistem të mbrojtjes ajrore të llojit Pantsir në Tarhuna.
Tarhuna është një pikë kryesore për linjat e furnizimit për milicitë e Haftarit nga baza ajrore Al-Jufra.
Të hënën, ushtria libiane rimori bazën ajrore Al-Watiya, e cila ishte nën pushtimin e militantëve të Haftarit për 6 vjet.
Kjo ndodhi pasi ushtria libiane shkatërroi tre sisteme të mbrojtjes ajrore të tipit Pantsir të prodhuar nga Rusia të përdorura nga forcat e Haftarit të cilat gjithashtu furnizoheshin nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Qeveria ka qenë nën sulme nga forcat e Haftarit që nga prilli i vitit 2019 dhe më shumë se 1.000 persona janë vrarë gjatë dhunës. Ajo filloi operacionin më 26 mars për të kundërshtuar sulmet ndaj kryeqytetit.
Pas rrëzimit të sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011, qeveria e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje politike të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.