Izraeli pretendoi se në bastisjen në qytetin e Jeninit në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, "u hap zjarr" nga çatia ku ndodhej vajza 16-vjeçare dhe ushtarët iu përgjigjën sulmit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për këtë çështje, ushtria izraelite njoftoi se në bastisjen e kryer për të arrestuar të dyshuarit në Jenin shpërtheu një konflikt i armatosur dhe se po hetohen pretendimet për "vrasjen e palestinezes".
Korporata e Transmetimeve Publike Izraelite (KAN), deklaroi se hetimet paraprake të kryera nga ushtria izraelite zbuluan se "në drejtim të ushtarëve u hap zjarr nga çatia ku ndodhej vajza palestineze dhe ushtarët u përgjigjën duke hapur zjarr në këtë drejtim".
Në lajme thuhet se hetimi i ushtrisë izraelite për incidentin nuk ka ende një rezultat përfundimtar.
- Bastisje nga ushtria izraelite në Jenin
Një 16-vjeçare palestineze u vra si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë që bastisën qytetin e Jeninit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Shëndetësisë të Palestinës, ka ndërruar jetë 16-vjeçarja, Jena Isam Zekarne, e cila u qëllua në kokë si pasojë e gjuajtjes së plumbave të ushtarëve izraelitë.
Në deklaratën e bërë nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, thuhet se në spitalin "Ibni Sina" në rajon po trajtoheshin 3 të rinj të plagosur si pasojë e të shtënave të ushtarëve izraelitë në Jenin.
Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite, thuhet se 18 të dyshuar janë arrestuar në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar.
Theksohet se ushtarët izraelitë "kanë kryer një operacion" për të arrestuar 3 të dyshuarit në Jenin.
- Viti më i përgjakshëm në Bregun Perëndimor në 16 vitet e fundit
Ushtria izraelite ka shtuar kohët e fundit bastisjet dhe operacionet e ndalimit në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Përveç plumbave të gomës, ushtarët izraelitë ndërhyjnë shpesh me plumba të vërtetë kundër palestinezëve që protestojnë kundër bastisjeve. Gjithashtu ndodhin përleshje mes grupeve palestineze dhe ushtarëve izraelitë në pjesën veriore të Bregut Perëndimor, veçanërisht në rajonet si Jenin dhe Nablus.
Sipas shifrave të shpallura nga Kombet e Bashkuara, viti 2022 u regjistrua si viti më i përgjakshëm në Bregun Perëndimor, që nga viti 2005 kur OKB filloi të regjistrojë të dhëna lidhur me rajonin.
Sipas kësaj, 217 palestinezë u vranë, duke përfshirë 165 në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe 52 në Gazën e bllokuar. Nga ky numër 48 ishin fëmijë.
Numri i palestinezëve të vrarë nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor në nëntor 2022 u regjistrua si 17. Numri i palestinezëve të vrarë nga zjarri i ushtarëve izraelitë ka kaluar 10 në dy javët e fundit.
OKB-ja theksoi se këto vdekje "në shumicën e rasteve ndodhën për arsye që dukeshin si përdorim joproporcional dhe vdekjeprurës të forcës nga forcat izraelite të sigurisë".