Ekip
20 Qershor 2020•Përditësim: 22 Qershor 2020
Ushtria libiane ka denoncuar komentet e presidentit egjiptian, Abdel al-Sisi, i cili tha se Sirte dhe Jufra në Libi janë "vija të kuqe", duke i quajtur ato "deklaratë të qartë lufte dhe një ndërhyrje e ashpër" në çështjet e Libisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Deklaratat e (Abdel) al-Sisit se Sirte dhe Jufra janë një vijë e kuqe sipas përshkrimit të tij, është një ndërhyrje e ashpër në punët e vendit tonë dhe ne e konsiderojmë atë një deklaratë të qartë lufte mbi Libinë", tha në një deklaratë Abdel-Hadi Darah, një zëdhënës ushtarak i operacionit 'Rruga e Fitores'.
"Forcat tona heroike janë të vendosura për të përfunduar udhëtimin dhe për të çliruar tërë rajonin nga militantët terroristë (besnikë të komandantin luftarak Khalifa Haftar)", shtoi Darah.
Në një fjalim televiziv në qytetin egjiptian Matrouh afër kufijve të Libisë, al-Sisi aludoi në mundësinë e dërgimit të "misioneve të jashtme ushtarake të vendit nëse kërkohet", duke theksuar se "çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë në Libi është bërë tashmë e ligjshme ndërkombëtarisht".
Al-Sisi tha që ushtria egjiptiane "të jetë e gatshme të kryejë çdo mision këtu brenda kufijve tanë ose nëse është e nevojshme edhe jashtë kufijve tanë".
"Sirte dhe Jufra janë një vijë e kuqe", deklaroi ai.
Megjithatë, Kombet e Bashkuara (OKB) e njohin qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj.
Qeveria libiane nisi operacionin "Stuhia e paqes" kundër Haftarit në muajin mars për të kundërshtuar sulmet mbi kryeqytetin Tripoli dhe së fundmi fitoi territore strategjike, përfshirë kështjellën e fundit të Haftarit në Libinë perëndimore, Tarhuna.