Selen Temizer
10 Maj 2016•Përditësim: 10 Maj 2016
ANKARA (AA) - Vazhdojnë humbjet e rënda ushtarake të Iranit i cili ka dërguar anëtarët e forcave speciale dhe të ushtrisë në Siri për të luftuar për regjimin e Bashar al Asadit. Që nga shkurti i vitit 2013 numri i gjeneralëve të vrarë është rritur në 11, raporton Anadolu Agency (AA).
Që nga fundi i vitit 2012 kur regjimi i Asadit në Siri kaloi në rënie Irani dërgon ushtarët e Ushtrisë së Gardës Revolucionare. Pasi Rusia njoftoi më 13 mars për vendimin e pakësimit të forcave të saj, Irani për të mbushur boshllëkun dërgoi në Siri edhe forcat speciale të Ushtrisë së vendit. Ushtarët iranianë, momentalisht luftojnë kundër opozitarëve në përgjithësi në jug të Halepit.
Sipas të dhënave që gazetari i AA-së ka përpiluar nga shtypi iranian mësohet se që nga shkurti i vitit 2013 e deri tani nga konfliktet në Siri janë vrarë 11 gjeneralë iranianë.
Së fundmi të premten e kaluar në rajonin Han Tuman në jug të Halepit humbi jetën gjeneral brigade Xhevad Durbin. Ndërsa më parë në shtypin iranian është raportuar se në rajonet Damask, Halep dhe Kunejtra kanë humbur jetën gjeneralët Hasan Shateri, Muhammed Xhemalizade, Abdullah İskenderi, Xhabbar Derisavi dhe Ali Allahdadi.
Gjithashtu edhe në tetor të vitit të kaluar ishin vrarë në Halep gjeneral brigade Hüseyin Hemedani i cili ishte ndihmës i Kasım Suleymanit, komandantit të Forcave Jeruzalem të cilat janë të lidhura me Ushtrinë e Gardës Revolucionare të Iranit. Në rajonin Hama janë vrarë dy prej gjeneralëve të Gardës Revolucionare, që janë Fershad Hasunizade dhe Haxh Hamid Muhtarbend që njihej edhe me emrin "Ebu Zehra". Ndërsa në mesin e gjeneralëve të Gardës Revolucionare të vrarë gjatë konflikteve në Siri janë edhe gjeneral brigade Muhsin Kaxharijan me gjeneral brigade Hasan Ali Shemsabadi.