Rahmi Gündüz
29 Mars 2017•Përditësim: 29 Mars 2017
PARIS (AA) - Vazhdojnë protestat kundër vrasjes së emigrantit kinez, 56 vjeçarit Shaoyo Liu nga policia në kryeqytetin e Francës, Paris, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra emigrantë aziatikë ku shumica e tyre kinezë, gjatë mesnatës kanë organizuar përsëri protestë përpara stacionit policor në verilindje të kryeqytetit.
Protestuesit me sloganet "policia vrasëse" dhe "të nxirret e vërteta", për përkujtimin e emigrantit të vrarë kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur lule para komisariatit të policisë.
Ndërsa bëhet e ditur se policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë personat që kanë krijuar trazira.
Dy ditë më parë ishte pretenduar se Liu kishte sulmuar me gërshërë tre policët që vajtën në rajonin 19 pas një ankese. Ndërsa ishte theksuar se njëri nga policët kishte qëlluar Liu-n në "vetëmbrojtje".
Ndërsa familjarët e Liu kanë pretenduar se ky i fundit nuk kishte kryer ndonjë sulm kundër policisë dhe se gjatë ngjarjes ai ishte duke pastruar peshk në shtëpi ku pas rënies së ziles ai kishte dalë tek dera me gërshërë në dorë.
Si reagim kundër vrasjes së emigrantit kinez një grup dje në mbrëmje bastisi qendrën policore në Paris duke i vendosur zjarrin një automjeti. Si pasojë e ndërhyrjeve të ashpra të policisë në ngjarje janë plagosur një numër i madh protestuesish.