Laura Gamba Fadul
05 tetor 2021•Përditësim: 05 tetor 2021
Qeveria venezuelase njoftoi rihapjen e kufirit të saj me Kolumbinë për tregti duke filluar nga dita e sotme, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Që nesër, ne do të hapim tregtinë midis vendeve tona", tha nënpresidentja venezuelase Delcy Rodriguez të hënën në një fjalim në televizionin shtetëror.
Kontejnerët që kishin bllokuar qarkullimin në vendkalimin kryesor u hoqën të hënën.
"Siç ishte premtuar! Me udhëzimet e presidentit Nicolas Maduro, sot filluam heqjen e kontejnerëve që ishin në ura dhe filluam hapjen graduale dhe të biosigurtë tregtare të kufirit përmes Kolumbisë", tha Freddy Bernal, një përfaqësues i qeverisë venezuelase në shtetin kufitar Tachira.
Kufiri u mbyll në vitin 2019 pasi qeveria kolumbiane u përpoq të sillte furnizime humanitare në Venezuelë. Qeveria në atë kohë tha se ishte pjesë e një komploti të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për të përmbysur presidentin Maduro.
Maduro tha se stafi diplomatik kolumbian duhej të largohej nga vendi pasi Kolumbia ndihmoi presidentin e vetëshpallur të përkohshëm Juan Guaido për të sjellë ndihma humanitare në vend. Që atëherë, Venezuela kishte ndërprerë lidhjet diplomatike me vendin fqinj.
Pasi u njoftua rihapja e kufirit, ministri i Mbrojtjes i Kolumbisë Diego Molano urdhëroi një prani të shtuar ushtarake përgjatë kufirit me Venezuelën.
Autoritetet kolumbiane akuzojnë Venezuelën se ka strehuar ish-rebelët e FARC-ut të cilët vendosën të tërhiqen nga një traktat paqeje i nënshkruar me qeverinë në vitin 2016. Qeveria venezuelase thotë se në anën kolumbiane ka grupe kriminale dhe trafik droge.
Kolumbia strehon rreth 1,8 milion migrantë venezuelas, shumë prej të cilëve kanë kaluar kufirin përmes shtigjeve ilegale të kontrolluara nga grupet kriminale.