Zehra Ulucak
05 Nëntor 2017•Përditësim: 06 Nëntor 2017
KARAKAS (AA) - Një nga udhëheqësit e opozitës në Venezuelë, njëherësh edhe nënkryetari i Kongresit Kombëtar Freddy Guevera, ka gjetur strehim në Ambasadën e Kilit në Karakas për ti ikur arrestimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Jashtme e Kilit njoftoi se me kënaqësi ka pritur Gueveran dhe të dashurën e tij të cilët mbrëmë hynë në rezidencën e ambasadës në kryeqytetin e Venezuelës.
Autoritetet e Venezuelës ende nuk e kanë komentuar rastin, kurse 24 orë përpara hyrjes së Gueveras në ambasadën e Kilit, shtëpia e tij ishte e rrethuar nga automjetet e shërbimit sekret "Sebin" të Venezuelës.
Gjykata e Lartë e Venezuelës, e cila është nën kontrollin e qeverisë, vendosi ndalim të largimit nga vendi dhe kërkoi heqjen e imunitetit parlamentar të Guevaras.
Ai akuzohet për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe vepra të ndryshme penale të rënda gjatë protestave disa mujore anti-qeveritare në Venezuelë.
Opozita pretendon se bëhet fjalë për akuza të pabaza me të cilat diktatura në Venezuelë dëshiron të heshtë ata që mendojnë ndryshe.