Mahmut Atanur
03 Tetor 2018•Përditësim: 04 Tetor 2018
PALU (AA) – Personat që kanë ikur nga vija bregdetare e goditur nga tërmeti i cili ndodhi në ishullin Sulawesi të Indonezisë, filluan që të jetojnë nëpër tenda të vendosura në maje të larta, raporton Anadolu Agency (AA).
Shumica e vendbanimeve që ndodhen në vijën bregdetare e cila lidh qytetet Palu dhe Donggala pranë provincës Sulawesi Qendror janë dëmtuar për shkak të tërmetit dhe cunamit që goditën pjesën veriore të ishullit.
Banorët, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar, janë larguar nga rajonet bregdetare dhe kanë filluar që të jetojnë nëpër tenda të vendosura në pika të larta. Kurse ata të cilët nuk kanë tenda po vazhdojnë të jetojnë mbi mushama. Në anën tjetër, banorët e rajonit po kërkojnë ujë të pijshëm, ushqim dhe ndihma financiare nga automjetet të cilët gjatë ditës kalojnë nga rruga.
Përveç shtëpive në Gjirin Palu, nga Donggala e deri në Palu, janë rrënuar edhe qendrat tregtare, xhamitë dhe institucionet publike. Si pasojë e cunamit, disa anije janë zvarritur deri në vendbanime.
- “5 minuta pas tërmetit goditi cunami”
Herry i cili ka shpëtuar gjallë nga cunami i cili ka goditur vijën bregdetare në Peru pas tërmetit, në një deklaratë për AA-së tha se “5 minuta pas tërmetit ka goditur cunami. Së bashku me familjen time, arritëm që t’i shpëtojmë gjallë tërmetit. Në këtë rajon humbën jetën rreth 200 persona. Tani jetojmë në një tendë të vendosur në një hapësirë kodrinore”.
Viktimat e tërmetit në Indonezi largohen nga rajonet bregdetare
Shumica e vendbanimeve që ndodhen në vijën bregdetare e cila lidh qytetet Palu dhe Donggala pranë provincës Sulawesi Qendror janë dëmtuar për shkak të tërmetit dhe cunamit që goditën pjesën veriore të ishullit. ( Mahmut Atanur - Anadolu Agency )
03.10.2018 Mahmut Atanur
1 / 20
Herry thotë se edhe Xhamia Nurul Yakin, e cila ndodhet në afërsi të shtëpisë së tyre, është rrënuar dhe se ka mbetur vetëm minarja e saj. “Ishte koha e namazit të akshamit. Prej atyre që kishin ardhur në xhami, ata të cilët ishin brenda saj humbën jetën”.
Edhe Hasan Ali, i cili jeton në afërsi të Xhamisë Bayturrahman në afërsi të bregdetit tha se “Kur tërmeti ndodhi isha në shtëpi me fëmijët e mi. Menjëherë zbritëm poshtë. Në atë momentin bashkëshortja ime erdhi në shtëpi me automjet. Më paralajmëroi që duhet të shkojmë menjëherë, por pashë që shtëpia kishte filluar të mbytet në ujë. Me frikë se do të vijnë valët e mëdha, hipëm në katin e dytë të shtëpisë dhe kështu mbetëm të gjallë”.
Hasan Ali thotë se ka shpëtuar një foshnje e cila zvarritej mbi ujin e shkaktuar nga cunami. Ai tregon se foshnjën rreth 1 vjeçare që ishte gërvishtur në trup, e kanë dorëzuar tek zyrtarët për shkak se nuk kanë arritur që t’ia gjejnë familjen.
Në anën tjetër zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare Indoneziane për Menaxhimin e Fatkeqësive (BNPB), Sutopo Purwo Nugroho, THA se numri i personave që humbën jetën nga tërmeti dhe cunami është rritur në 1 mijë e 407 dhe se deri më tani janë varrosur 519 kufoma.
Ndryshe, Ishulli Sulawesi të premten u godit nga një tërmet i fuqishëm, i cili shkaktoi cunami të lartë nga tre deri në gjashtë metra në qytetet Donggala dhe Palu. Tërmeti me intensitet 7,5 ballë ndodhi 27 kilometra në veri të Gjirit të Palus, treguan të dhënat e Institutit Amerikan për Vrojtime Gjeologjike (USGS).
Burimet lokale, nga ana tjetër, thanë se tërmeti ishte me magnitudë 7,4 shkallë.
Indonezia bën pjesë në të ashtuquajturin "Unazën e Zjarrtë të Paqësorit", ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.
Tërmetet që goditën Ishullin Lombok të Indonezisë në fund të korrikut dhe në muajin gusht me magnitudë 6,3, 6,9 dhe 7 ballë lanë të vdekur 563 persona, kurse u dëmtuan mbi 450 mijë.
Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm me intensitet 9,1 shkallë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit jetën humbën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.