Adis Karaca
30 Korrik 2016•Përditësim: 31 Korrik 2016
LUBJANË (AA) - Presidenti i Federatës Ruse Vladimir Putin mbërriti sot në Lubjanë në aeroportin Jozhe Puçnik, në vizitën e tij të tretë, kësaj radhe jozyrtare në Slloveni, raporton Anadolu Agency (AA).
Putin në aeroportin më të madh të Sllovenisë arriti me një vonesë prej gati një orë e gjysmë. Arsyeja ishin obligimet e pa prolongueshme të brendshme që presidenti rus kishte para nisjes, prandaj Kabineti i tij i ka kërkuar falje kryetarit të Sllovenisë, Borut Pahor.
Presidenti rus arrin në Slloveni, në kohën e marrëdhënieve të tendosura midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian, anëtare e së cilës është edhe Sllovenia që nga viti 2004, për shkak të mosmarrëveshjeve në lidhje me Ukrainën dhe aneksimin rus të Krimesë.
Putini mbërriti në Slloveni me ftesë të homologut të tij slloven Pahor, me të cilën në përfundim të vizitës së tij një ditore do të zhvillojë një takim kokë më kokë në Bërdo. Të dy udhëheqësit do të diskutojnë për përmirësimin e marrëdhënieve tradicionalisht të mira politike dhe ekonomike mes dy vendeve.
Një nga simbolet e lidhjes midis dy popujve është kishëza ruse në kalimin malor më të lartë slloven Vërshiç mbi Kranjska Gorë. Në këtë vend malor në Slloveni, në lartësi mbidetare prej mbi 1.600 metrash, para 100 vitesh të burgosurit rusë kanë ndërtuar faltoren ruse, si monument për shokët e tyre të rënë në Luftën e Parë Botërore, të cilët humbën jetën në një ortek.