Ekip,Mustafa Talha Öztürk
07 Maj 2020•Përditësim: 07 Maj 2020
Ballkani Perëndimor është një prioritet absolut për Bashkimin Evropian (BE), tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për shtyp pas samitit virtual të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, von der Leyen tha se pjesëmarrësit në takim kishin "një diskutim shumë të mirë për sfidat tona të përbashkëta dhe hapat për të çuar përpara bashkëpunimin".
Krerët e 27 shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, zyrtarë të lartë dhe liderë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, morën pjesë në takim. Mikpritëse e samitit ishte Kroacia, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së për gjysmën e parë të vitit 2020.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor duhej të zhvillohej në kryeqytetin kroat Zagreb, duke shënuar 20-vjetorin e Samitit të parë BE-Ballkani Perëndimor.
Ngjarja u zëvendësua nga një videokonferencë për shkak të pandemisë së koronavirusit, megjithëse dokumenti përmbyllës i samitit prapëseprapë u quajt "Deklarata e Zagrebit".
"BE-ja ka një përgjegjësi të veçantë në rajon", tha zyrtarja e lartë evropiane, duke përmendur paketën e BE-së prej 3,3 miliardë eurosh për të lehtësuar efektet e virusit.
Ambasadorët e BE-së të mërkurën ranë dakord për një pako ndihme mikro-financiare prej 750 milionë eurosh për gjashtë vendet. Pas një aprovimi zyrtar nga institucionet e BE-së, ndihma financiare në formën e kredive do të ndihmojë rajonin të rinisë ekonomitë pas pandemisë së koronavirusit.
Banka Evropiane e Investimeve do të sigurojë një ndihmë shtesë prej 1,7 miliardë eurosh.
Pjesa tjetër prej 850 milionë eurosh do të transferohen si një grant për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale, si dhe mbështetje për sektorin shëndetësor.
BE-ja gjithashtu përfshiu vendet e Ballkanit në projektet e saj të përbashkëta të prokurimit për të siguruar pajisje mjekësore dhe ra dakord për të vendosur të ashtuquajturat korsi jeshile në kufijtë ndërkombëtarë për të lehtësuar transportin e mallrave thelbësore.
"Ne po dërgojmë një sinjal të fortë. BE-ja po qëndron këtu dhe po i ndihmon ata", tha nga ana tjetër kryeministri kroat Andrej Plenkoviç.
Si anëtari më i ri i BE-së i cili u bashkua me bllokun në vitin 2013, Kroacia i kupton fqinjët e saj mjaft mirë, tha Plenkoviç.
"Zgjerimi ishte një praktikë me të vërtetë transformuese për sistemin tonë juridik dhe ekonomik", tha ai, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe lirisë e mediave, së bashku me von der Leyen.
Megjithatë, Deklarata e Zagrebit shmangi me kujdes termin "zgjerim", duke përdorur vetëm shprehjen "përkrahje e padyshimtë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor".