Emel Gözellik
12 Nëntor 2020•Përditësim: 12 Nëntor 2020
Një gazetar ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një bombe të vendosur në automjetin e tij në rajonin Helmand në jug të Afganistanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të "Tolo News", zëdhënësi i prefekturës Helmand, Omer Zwak deklaroi se Ilias Daee, gazetar i "Radio Azadi" ka humbur jetën si pasojë e shpërthimit të një bombe të vendosur në automjetin e tij.
Zwak vuri në dukje se sulmi ka ndodhur në qytetin Lashkargah ndërsa janë plagosur edhe 3 persona të tjerë, përfshirë një fëmijë që ndodheshin në automjetin e Daee.
Shefi i zyrës së lajmeve të "Radio Azadi", Sami Mehdi në një postim nga llogaria e tij në Twitter shkroi: "Kolegu dhe miku im i afërt Ilias Daee humbi jetën mëngjesin e sotëm në një sulm terrorist. Është vërtet një gjë e trishtueshme. Nuk do të të harrojmë kurrë".
Ndërkohë sulmi ende nuk është marrë përsipër nga askush.