Talha Yavuz
17 Dhjetor 2021•Përditësim: 18 Dhjetor 2021
Ushtria e Ukrainës ka bërë të ditur se një ushtar ukrainas është vrarë dhe një tjetër është plagosur në sulmet e separatistëve pro-rusë në rajonin lindor Donbas, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga ushtria ukrainase, separatistët pro-rusë sot shkelën armëpushimin pesë herë. Shkeljet u kryen në Pisky, Zolotoy 4, Travneve, Pavlopil dhe Novoluganska të rajonit Donbas.
Ky zhvillim vjen mes tensioneve në rritje lidhur me ngritjen ushtarake të Rusisë në kufirin e Ukrainës. Për herë të dytë këtë vit, Moska ka përqendruar mijëra trupa në kufi, duke shkaktuar akuza nga Perëndimi dhe Kievi se po planifikon një pushtim.
Rusia i ka mohuar këto pretendime duke i quajtur "gënjeshtra", por SHBA, Bashkimi Evropian (BE) dhe NATO kanë vazhduar me thirrjet për de-përshkallëzim dhe kthim në diplomaci, ndërkohë ka paralajmëruar sanksione dhe kundërmasa të tjera nëse Moska sulmon Ukrainën.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij amerikan, Joe Biden, javën e kaluar zhvilluan një video-telefonatë dy-orëshe, ku sipas Kremlinit, Putin kërkoi garanci se NATO nuk do të zgjerohet drejt Lindjes.
"Putin paralajmëroi se ishte NATO ajo që po ndërmerrte përpjekje të rrezikshme për të fituar terren në territorin ukrainas dhe për të ndërtuar aftësitë e saj ushtarake përgjatë kufirit rus", thuhej në njoftimin e Kremlinit.
Dy liderët po ashtu diskutuan për mungesën e progresit në zbatimin e marrëveshjes së Minskut të vitit 2015, që kishte për qëllim ndalimin e konfliktit midis separatistëve pro-rusë dhe Kievit.
Kushtet e armëpushimit përfshinin një armëpushim në rajon, shkëmbim të të burgosurve dhe tërheqje të grupeve pro-ruse, duke lejuar Kievin po ashtu të bënte një ndryshim kushtetues që do t’i jepte rajonit Donbas status të veçantë.
Megjithatë, zbatimi i tyre është penguar nga akuzat e përsëritura për shkelje nga të dyja palët.