Hakan Ceyhan Aydoğan
01 Qershor 2017•Përditësim: 01 Qershor 2017
MOSKË (AA) - Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka bërë të ditur se rrëzimi i avionit të tipit Tu-154 në Detin e Zi më 25 dhjetor të vitit 2016 ka ndodhur si pasojë e një gabimi të pilotit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e ministrisë, janë shpalosur rezultatet e hulumtimit lidhur me aksidentin ajror që rezultoi me vdekjen e 92 personave, ku thuhet se në avion nuk është gjetur defekt dhe se sasia e karburantit dhe ngarkesës ka qenë në nivelin e lejuar.
Siç theksohet në njoftim, është gjetur se avioni i tipit Tu-154 është rrëzuar si pasojë e manovrave të gabuara të pilotit kryesor.
Kujtojmë se avioni i tipit Tupolev Tu-154 që u ngrit më datë 25 dhjetor të vitit 2016, planifikonte të shkonte drejt Sirisë, pasi u furnizua me karburant në Soçi.
Në avion ndodheshin anëtarë të korit të cilët do të mbanin koncert me rastin e Vitit të Ri në bazën ruse Himejmim në Siri. Avioni ishte rrëzuar në Detin e Zi pak kohë pasi kishte fluturuar nga Soçi.